E Martë, 3 Nëntor 2026

Prokuroria: Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, fals

PRISHTINË, 5 korrik /ATSH/ Kërcënimi për bombë në Kuvendin e Kosovës, doli të jetë alarm i gënjeshtërt.

Kështu tha prokurori i çështjes, Zejnullah Gashi, sipas të cilit, hetimet po vazhdojnë.

Sipas tij, zëri që ka kërcënuar për bombën ka qenë zë mashkulli që ka folur në gjuhën angleze.

“Kërcënim me bombë, i cili ka ardhur rreth orës 10:54, të gjitha njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në vendin e ngjarjes janë edhe njësia K9 dhe për deminim të cilët kanë bërë punën e vet dhe ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri më tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa i përket rezultateve nga vendi i ngjarjes. Patjetër që hetimet do të vazhdojnë sa i përket prejardhjes së kërcënimit, apo më mirë me thënë thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim, i cili ka qen me zë mashkulli në gjuhën angleze me një akcent që ne mendojmë se është nga shtetet mike”, tha ai.

Ai nuk dha ndonjë detaj tjetër por theksoi se janë angazhuar edhe ekipet për krimeve kibernetike.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar më herët se sot në orët e paradites është marrë një informatë me mesazh për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Kelani bëri të ditur se Policia e Kosovës, njoftoi prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për demontim, morën veprimet e duhura të kontrollit në objekt.

Deputetët u larguan nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës me rekomandimin e Policisë së Kosovës.

Sot pritej të mbahej seanca konstituive e Kuvendit, për herë të 42-të, e cila u shty për në orën 20:00.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›