Prokuroria Fier sekueston 276 hektarë tokë e përfituar me dokumente të falsifikuara

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Prokuroria e Fierit sekuestroi një pasuri të paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276,5 ha, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Prokuroria njoftoi sot se “në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nisur në tetor 2019, rezultoi se shtetasi T.Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar “Vendimi nr.249, datë 22.02.2008”, etj, të ish Komunës Libofshë, ka përfituar 276.5 ha tokë e llojit ‘kullotë’ dhe “pyll”, në fshatin Hasturkas, Libofshë, Fier. Kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit”.
“Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T.Zh, vendimit nr.5, datë 26.09.1999, të ish Komunës Libofshë, Vërtetim datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuar, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit)”, njoftoi prokuroria.
Sipas Prokurorisë së Fierit “gjithashtu rezulton se vendimi nr.5, datë 26.09.1999, i ish Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa dhe data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e Dielë, ditë pushimi, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve”.
Në funksion të hetimeve, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumentet e falsifikuar: Pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, e ndodhur në zonën kadastrale 1940, fshati Hasturkas, Libofshë, Fier.
Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata dhe Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit, të cilat janë dërguar për zbatim.
/m.q//a.f/