Prokuroria hap kontejnerët në Durrës, verifikim përmbajtjes së mbetjeve që mbërritën në Port në vitin 2024

Prokuroria e Durrësit ka hapur këtë të enjte kontejnerët që ndodhen në zonën industriale të Porto Romanos, që prej tetorit të vitit 2024, me qëllim verifikimin e përmbajtjes së tyre dhe përcaktimin nëse bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme apo jo.
Tashmë pritet që mostrat e marra t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar saktësisht përbërjen dhe nivelin e rrezikshmërisë.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka kërkuar transparencë të plotë për këtë proces dhe për çdo të dhënë që lidhet me përmbajtjen e kontejnerëve.
Rasti është denoncuar fillimisht nga rrjeti i Bazelit, i cili ngriti dyshime se brenda kontejnerëve mund të ndodhen mbetje të rrezikshme të ardhura nga jashtë vendit.
Kontejnerët u kthyen në portin e Durrësit në fund të tetorit të vitit 2024 dhe, pas rreth dhjetë ditësh qëndrimi në radhë, u zhvendosën në zonën e Porto Romanos, ku ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë policore dhe monitorim 24-orësh me kamera sigurie.
Kontejnerët ndodheshin në Anijen Moliva, e cila me 2100 tone mbetje industriale, pas 3 muajve lundrim në det mbërriti në Shqipëri në Portin e Durrësit./vizionplus.tv