Prezantohej si prokuror dhe mashtronte qytetarët, arrestohet 49-vjeçari në Sarandë

Policia e Sarandës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Deceiver”, duke arrestuar një 49-vjeçar që prezantohej rrejshëm si prokuror, me qëllim përfitimi të dokumenteve dhe shërbimeve të ndryshme.
I arrestuari, A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, ishte në kërkim, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën veprimtari kriminale. Edhe në momentin e ndalimit, ai iu prezantua punonjësve të Policisë si prokuror. Ky shtetas ka qenë më parë i dënuar për mashtrime të ngjashme, duke u paraqitur si funksionar publik.
Po gjatë operacionit, u arrestua edhe E. Ç., 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi në banesën e tij, ku fshihej 49-vjeçari, u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik tip “Shars”, municion luftarak, dokumente zyrtare, radio si të Policisë, si dhe një kompjuter, që dyshohet se janë përdorur për veprimtari mashtruese.
Dëme ekonomike dhe punësime fiktive
Nga hetimet paraprake, dyshohet se A. M., duke u prezantuar si prokuror, ka mashtruar disa qytetarë, të cilëve u ka premtuar se do të punësoheshin nga institucioni i Prokurorisë. Ai u ka kërkuar shërbime dhe u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike.
Gjithashtu, ai ka tentuar të përfitojë favore dhe shërbime nga institucione dhe subjekte të ndryshme, duke u mbështetur në identitetin e rremë të funksionarit publik.
Veprimet procedurale
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Arrestimet dhe sekuestrimet u realizuan si rezultat i një pune të shpejtë dhe të koordinuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas marrjes së informacionit për veprimtarinë mashtruese të 49-vjeçarit.
/vizionplus.tv