Pronat shtetërore “1 euro”, kushtet e reja për kalimin në pronësi të investitorëve

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Investitorët që kanë marrë me kontrata “1 euro” prona shtetërore mbi 500 metra katrorë do të mund t’i blejnë ato vetëm nëse kanë përmbushur detyrimet e investimit të përcaktuara në kontratë.
Udhëzimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, botur në Fletoren Zytare, përcakton rregullat e reja që: investimi i realizuar duhet të jetë mbi 5 milionë euro dhe njëkohësisht të tejkalojë 750% të vlerës së pronës shtetërore që kërkohet të blihet.
Kriteri i ri nënkupton se për një pronë me vlerë 1 milion euro, investitori duhet të ketë realizuar investim mbi 7,5 milionë euro, përveç përmbushjes së pragut minimal prej 5 milionë eurosh.
Përfitimi i së drejtës për blerjen e pronës nuk është automatik. Pasuria duhet të mos bëjë pjesë në kategorinë e pronave shtetërore të patjetërsueshme, ndërsa investimi duhet të jetë realizuar brenda afatit të përcaktuar në kontratën e qirasë ose enfiteozës dhe të provohet me dokumentacion financiar, teknik e kontraktor.
Edhe pas shitjes, investitori mbetet i detyruar të përmbushë të gjithë investimin e parashikuar në planbiznes. Ky detyrim regjistrohet në kartelën e pasurisë, ndërsa blerësi nuk mund ta shesë ose tjetërsojë pronën te persona të tretë deri në përfundimin e investimit.
Në rast të mosrealizimit të investimit sipas kushteve të kontratës, Ministria e Ekonomisë mund të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e shitjes. Pasuria rikthehet në pronësi të shtetit, ndërsa shteti mund të mbajë shumën e paguar për blerjen e saj.
Rregullat e reja janë pjesë e udhëzimit nr. 7, datë 1 shtator 2026, që përcakton procedurat për vlerësimin, privatizimin, transformimin dhe shitjen e pronës shtetërore. Udhëzimi përcakton gjithashtu procedura të reja për nisjen e privatizimit, vlerësimin e pasurive dhe shkëmbimin e pronave shtetërore.
Në rastin e shkëmbimit, kërkesa mund të paraqitet nga institucionet qendrore, organet e vetëqeverisjes vendore dhe ndërmarrjet shtetërore në varësi të tyre, ndërsa Ministria e Ekonomisë duhet të marrë vendim brenda 60 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
/e.xh/a.f/r.e/