E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta e opozitës-Luçiano Boçi mes protestuesve, përplaset me policinë

Mes protestuesve që u përplasën me policinë gjatë protestës së opozitës në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë ka qenë dhe nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi.

Siç shihet nga momentet e kapura nga kamerat, Boçi ka tentuar të çajë kordonin e policisë teksa protestuesit e Partisë Demokratike “pushtuan” dyert e Parlamentit ku edhe hodhën sende të forta, bidonë ujë e çadra drejt institucionit, teksa forca të shumta policie ndodhen në vend.

  • Disa protestues janë afruar për të hyrë te Kuvendi, por policia është bërë gardh.

    Efektivët janë të pajisur me skafandra dhe mjete mbrojtëse për të shmangur dëmtimet nga sulmet e protestuesve.

    Një protestues ka mbetur i plagosur gjatë përleshjeve dhe sulmit ndaj policisë. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga gazetarët në terren, protestuesi është lënduar në kokë.

    Menjëherë një ambulancë ka mbërritur në ndihmë të tij dhe protestuesi pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore është dërguar në spital për mjekim të mëtejshëm.

    Ndërkaq, më herët, protestuesit protestuan para Kryeministrisë duke hedhur flakadanë dhe molotov, drejt dyerve të godinës qeveritare, ku më pas ndërhyri edhe policia.

    /rtsh.al/

    Më shumë nga Kronika

    Të gjitha ›