E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e paralajmëruar më 10 shkurt, Berisha: Të tregojmë fuqinë dhe vendosmërinë tonë se do jemi fitimtarë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar protestën e radhës që do të zhvillohet më 10 shkurt, duke e cilësuar si një moment vendimtar për të treguar vendosmërinë e opozitës.

Berisha u shpreh se protestat nuk duhet të ndalen deri në përmbysjen e qeverisë. Ai theksoi se shumë qytetarë kanë kërkuar që protesta të mos mbyllet pa arritur qëllimin e saj, duke e konsideruar këtë si rrugën më efikase për largimin e pushtetit aktual.

“Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës. Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti.

Miq, gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë”, tha ai.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për lidhje me krimin, duke theksuar se opozita do të vazhdojë pa ndërprerje aksionin e saj politik.

“Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale. Ndaj dhe duke u falenderuar shumë për atë angazhim të jashtëzakonshëm që treguat më 24 janar, u ftoj të shumëfishojmë forcat dhe të bashkohemi në protestën e ardhshme. Të tregojmë fuqinë tonë, të tregojmë vendosmërinë tonë, të tregojmë se ne do jemi fitimtarët në këtë vend”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›