E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta edhe në rrethe, tensionohet situata në Durrës, në Shkodër thyejnë xhamat e bashkisë. Në Vlorë hidhen sende piroteknike

Protesta e studentëve është shtrirë edhe jashtë Tiranës. Studentë dhe nxënës në Durrës, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Divjakë kanë bojkotuar procesin mësimor dhe kanë dalë në rrugë, duke iu bashkuar lëvizjes protestuese që prej 3 ditësh ka përfshirë kryeqytetin.

Në Durrës, studentët janë mbledhur para Bashkisë së qytetit, ku kanë protestuar duke hedhur vezë në drejtim të godinës. Situata është tensionuar më tej pranë Postës Shqiptare, ku raportohet për përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Gjatë marshimit në rrugët e qytetit, protestuesit kanë vijuar tubimin, ndërsa situata është shoqëruar me tensione.

Ndërkohë, në Shkodër, studentët i janë bashkuar protestës duke u mbledhur para Bashkisë. Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të godinës, duke thyer xhamat e institucionit.

Edhe në Vlorë, studentët e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, së bashku me qytetarë dhe të rinj janë ndalur para Bashkisë së Vlorës, ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestës, situata është tensionuar, ndërsa protestuesit kanë hedhur sende piroteknike dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës së bashkisë së Vlorës dhe punonjësve të policisë.

Në Korçë, nxënësit kanë bojkotuar procesin mësimor dhe pritet t’u bashkohen studentëve në protestë. Edhe në Divjakë raportohet për bojkot të mësimit nga nxënësit.

Tensione janë shënuar edhe në Kukës, ku gjimnazistët i janë bashkuar protestave. Gjatë tubimit, të rinjtë u kanë vënë flakën hapësirave të gjelbëruara, si dhe kanë dëmtuar stola dhe kosha mbeturinash në hapësirat publike.

Përhapja e protestave në qytete të ndryshme të vendit vjen pas protestave në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me tensione, përplasje dhe dëmtime të institucioneve publike.

Ndërsa lëvizja po merr përmasa edhe në rrethe, studentët në Tiranë vijojnë mobilizimin në kryeqytet duke marshuar në rrugë të ndryshme, ndërsa nuk kanë munguar incidentet dhe hedhja e ujit dhe gazit lotsjellës nga policia për shpërndarjen e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›