E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta masive në Novi Sad, përleshje të dhunshme me policinë. Plagosen 11 efektivë, disa të arrestuar

Një tjetër protestë masive me përleshje mes protestuesve dhe policisë u shënua në qytetin Novi Sad të Serbisë, mbrëmjen e së premtes.

Ajo që nisi si një tubim paqësor mbi sjelljen e efektivëve ndaj protestuesve dhe autonominë në universitete, u kthye në përleshje të dhunshme që zgjatën për disa orë.

Policia hodhi gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit, ndërsa këta të fundit u përgjigjën me mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe flakadanë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri të ditur më vonë se disa persona u arrestuan dhe 11 efektivë policie mbetën të plagosur.

Vuçiç gjithashtu akuzoi protestuesit se kanë tentuar të kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Serbisë dhe të zaptojnë objektet universitare në Novi Sad, sipas tij, të nxitur nga faktorë të jashtëm.

Protesta e 5 shtatorit është pjesë e serisë së organizimeve të udhëhequra nga studentët në Serbi, të nisura që prej një viti më parë pas një aksidenti hekurudhor vdekjeprurës.

Protestuesit kërkojnë nga institucionet përgjegjësi politike dhe penale për këtë rast, si dhe zgjedhje të parakohshme, gjë që është refuzuar nga presidenti i vendit, Aleksandër Vuçiç.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›