Protesta në Kosovë, tensione para godinës së qeverisë në Prishtinë

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Pas vendimit të marrë sot nga Dhomat e Specializuara në Hagë për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qytetarë janë mbledhur para godinës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.
Protestuesit kanë thirrur në mbështetje të UÇK-së dhe kanë kërkuar një reagim të fortë nga Qeveria e Kosovës.
Gjatë protestës, godina e qeverisë është qëlluar me vezë, gurë dhe sende të tjera, ndërsa Policia e Kosovës ka forcuar masat e sigurisë në perimetrin e ndërtesës.
Referuar pamjeve të publikuara në medie, forcat e policisë kanë krijuar një kordon sigurie për të ndarë protestuesit nga godina e Qeverisë së Kosovës, ndërsa nuk kanë munguar dhe shtyrjet.
Protestuesit po ashtu kanë kënduar këngë dedikuar katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa shpalosën dhe një flamur kuqezi me siglën e UÇK.
Një protestë e ngjashme është zhvilluar më herët para selisë së EULEX-it, në zonën industriale të Prishtinës, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit.
Protestat u zhvilluan pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime nga 13 deri në 25 vjet burgim.
/a.f/