Tensione në protestën e Zvërnecit, Policia: Procedohen 15 protestues dhe dy roje private

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar lidhur me incidentet e regjistruara gjatë protestës së zhvilluar këtë të premte në zonën e Portonovës, në Zvërnec, ku banorë të fshatit kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.
Sipas policisë, gjatë tubimit situata u tensionua, ndërsa një pjesë e protestuesve dyshohet se ndërmorën veprime të dhunshme ndaj rrethimit të kantierit. Në reagimin zyrtar, policia bën me dije se janë proceduar penalisht dy punonjës të një shoqërie private sigurie, pas kallëzimit të një protestuesi për dëmtime trupore, si dhe 15 pjesëmarrës në tubim për veprime të dyshuara të kundërligjshme.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private. Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private. Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë. Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet. Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore. Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie. Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë. Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.