E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta për Sazanin dhe Zvërnecin, Rama: Nuk ka as shitje të ishullit dhe as status investitori strategjik

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste deklaroi sot, në takimin e mbajtur në sheshin “Italia” në Tiranë, në 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, se ishulli i Sazanit nuk do të shitet dhe nuk do të jepet me qira, ndërsa theksoi se për investimin nuk ka ende asnjë marrëveshje të nënshkruar, por vetëm negociata, ku qeveria po mbron interesat e Republikës së Shqipërisë dhe po kërkon pjesëmarrje të shtetit në fitimet e investimit.

“E përsëris dhe e them me shpirt, po të ishin të vërteta ato që ju është mbushur mendja se janë, ashtu siç ju kanë thënë, shkruar e treguar nëpër kanalet e internetit, do të isha edhe unë po aq i neveritur sa më duket se janë disa prej jush”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, Shqipëria po përjeton një fenomen që vende të tjera e kanë kaluar më herët për shkak të ndikimit të rrjeteve sociale.

“E vërteta është se po jetojmë këto ditë një nga ato zhvillimet e kohës së rrjeteve sociale, ku vende të tjera para nesh kanë rënë në kurthe të paimagjinueshme si rezultat i manipulimit masiv të njerëzve me metoda të provuara dhe, në disa raste, edhe të demaskuara në vende të tjera”, u shpreh ai.

Rama iu drejtua të gjithë qytetarëve që kanë shqetësime për ndikimin e investimeve në mjedis dhe biodiversitet, duke i ftuar të shohin nga afër faktet.

“Prandaj unë cilitdo që është i interesuar vërtet për të mbrojtur interesin publik, që është i interesuar vërtet për mjedisin, biodiversitetin, të ardhmen e shpendëve në zonën ku do të zhvillohet projekti i Zvërnecit apo në ishullin e Sazanit, i them se faktet që kemi në dispozicion duhet të jenë më se të mjaftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo në këtë drejtim. Prandaj ejani t’i dëgjoni, ejani t’i shikoni dhe verifikoni vetë faktet. Ejani të merrni provat e nevojshme për t’u ndjerë jo vetëm të lehtësuar, por edhe krenarë. Po, për t’u ndjerë krenarë për mënyrën se si institucionet tona e kanë përfaqësuar interesin publik, qoftë në lidhje me Sazanin, qoftë në lidhje me procesin e aplikimeve dhe të reagimeve zyrtare ndaj tyre për zhvillimin e Zvërnecit”, deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se nuk ekziston asnjë status investitori strategjik për investimin në fjalë dhe se procesi për Sazanin ndodhet ende në fazën e negociatave.

“Ejani të shikoni me sytë tuaj që nuk ka asnjë status investitori strategjik të dhënë për investimin më të madh privat në historinë e Shqipërisë. Ejani shikoni, duke dëgjuar me veshët tuaj, por edhe duke parë dokumentet, se për Sazanin nuk ka asnjë marrëveshje ende sot që flasim, por ka vetëm një negociatë që zgjat prej shumë kohësh tanimë”, tha Rama.

Ai shpjegoi se negociatat po zgjasin për shkak se qeveria përfaqëson interesat e Republikës së Shqipërisë dhe jo të investitorëve.

“Pse zgjat? Zgjat sepse ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve, sado të fuqishëm dhe sado miq të mirë të Shqipërisë të jenë. Ne përfaqësojmë interesat e Republikës së Shqipërisë. Dhe në emër të atyre interesave, në tryezë, ne u kemi bërë të qartë dy gjëra themelore: ishulli nuk shitet, gjë që për hir të së vërtetës as nuk e kanë kërkuar, dhe ishulli nuk jepet me qira. Ishulli është dhe mbetet pronë e shtetit shqiptar”, u shpreh Kryeministri.

Rama shtoi se shteti shqiptar synon të jetë partner në projekt dhe të përfitojë drejtpërdrejt nga investimi.

“Ndërkohë që shteti kërkon të marrë pjesë si partner në investim dhe kërkon pjesë nga fitimi i investimit për popullin shqiptar”, tha ai.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës dhe kundërshtarëve të investimit, Rama deklaroi se qeveria po vepron në mbrojtje të interesave kombëtare.

“Nuk ka njeri me logjikë që nuk e kupton se shitësit, tradhtarët dhe të pabesët nuk e mbajnë pronën për shtetin dhe nuk kërkojnë fitime për shtetin. Se ata që e mësuan Shqipërinë për 20 e kusur vite që të rrinte e kërrusur përpara të mëdhenjve të kësaj bote nuk do ta kishin problem fare t’i kishin bërë të gjitha këto për të cilat na akuzojnë ne dhe më akuzojnë mua. Por ne nuk jemi si ata. Unë nuk jam si askush prej tyre dhe si askush prej atyre të tjerëve që i dëgjojnë këto ditë me vëmendje të shtuar ato sirena”, tha ai.

Sipas Ramës. atë që po bën kjo mazhorancë e bëjnë vetëm përfaqësuesit e denjë të një populli.

“Këtë që bëjmë ne edhe me atë grup aq të fuqishëm investitorësh e bëjnë vetëm përfaqësuesit e denjë të një populli që i ka votuar për t’u kujdesur për interesat e Republikës dhe për interesat e tij”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se institucionet shtetërore kanë vendosur kërkesa të rrepta për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

“Ejani, ejani, ejani të ballafaqoheni me të gjitha kërkesat e lëna nga institucionet për të respektuar standardet mjedisore dhe biodiversitetin. Dhe po, ejani të shikoni me sytë tuaj se si janë tërhequr vetë investitorët nga aplikimet pikërisht sepse kërkesat tona kanë qenë rigoroze, institucionet tona kanë qenë këmbëngulëse dhe ajo që ne duam të bëjmë me atë investim nuk është një biznes i radhës në plazh, në bregdet, por është një xhevahir që ne duam t’ia vëmë kurorës së Mesdheut në emër të Republikës së Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të gjithë fëmijëve tanë”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, synimi është që Shqipëria të krijojë destinacione turistike konkurruese në rajonin e Mesdheut.

“Që kur të dëgjojnë për destinacionet ku të gjithë ata që dalin në bulevard e shohin veten në ekran shkojnë për të bërë pushimet e tyre, t’u thonë të tjerëve: kemi edhe ne Vlorën, kemi edhe ne Zvërnecin”, tha Kryeministri.

Në fund të fjalës së tij, Rama hodhi poshtë pretendimet se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura janë bërë për t’i hapur rrugë projektit.

“Ejani, ejani, ejani të shikoni se kush ua ka thënë në mënyrë të përsëritur se ne paskemi ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë këtij zhvillimi. Ju ka shaluar me një rrenë të fortë që ju e keni marrë për kalë beteje dhe ndaj nuk bëni dot betejë pa atë rrenë”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama në 35-vjetorin e themelimit të PS, foto: Florian Abazaj 1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›