Rama: Shqipëria nuk kishte ligj, tashmë një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër Edi Ram deklaroi sot, se që në marrjen e mandatit të parë qeverisës nga kjo forcë politike, është rivendosur ekuilibri i humbur i njerëzve me Shqipërinë.
Në fjalën e mbajtur me rastin e 35-vjetorit të PS, aktivitet që u mbajt në sheshin “Italia” para stadiumit “Air Albania”, Rama tha se “dy nga vendimet e para që morëm në tryezën e Qeverisë në ditën e betimit ishin vendosja e fotografisë së Atit të Shqipërisë shtet, Ismail Qemalit, në vend të fotografive të presidentëve që vinin e shkonin, si edhe ndalimi i importit të plehrave”.
“Me fjalë të tjera, ne u përcaktuam edhe simbolikisht si një forcë në shërbim të misionit për t’i dhënë dinjitetin e humbur Shqipërisë dhe shtetit të saj dhe u angazhuam konkretisht në një veprimtari të pandalur për të rivendosur ekuilibrin e humbur të njerëzve me Shqipërinë. Ndalimin e importit të plehrave dhe heqjen e maleve të mbetjeve të grumbulluara kudo ku hidhje sytë e pasuan më tej edhe dy vendime të tjera që u kontestuan nga një pakicë e zhurmshme: ndalimi i prerjes së pyjeve për 10 vjet dhe ndalimi i gjuetisë për 10 vjet”, tha Rama.
Rama nënvizoi se të “dy këto moratoriume kanë krijuar sot dy pamje krejt të ndryshme të Shqipërisë nga ajo kohë kur nëpër pyje gjinkallat ishin zëvendësuar nga sharrat elektrike, ndërsa shpendët dhe kafshët shfaroseshin nga turizmi barbar i gjahtarëve të huaj, të cilët futeshin në vendin tonë si tufa çakejsh me dy këmbë për të bërë masakra që në Evropë as nuk i kanë imagjinuar dot prej shekujsh”.
“Ishim ne që pastaj kryem regjistrimin në Kadastër të 1.3 milionë hektarëve pyje. Mbi mesataren e BE-së është kjo sasi. Ishim ne që, përmes moratoriumeve të gjuetisë dhe pyjeve, mundësuam shumëfishimin e popullatës së shpendëve të egër, çka e tregon edhe censusi që bëhet çdo vit në mënyrë të rregullt”, tha Rama.
“Flitet këto kohë pa pushim, pa karar, për zonat e mbrojtura, kjo është gjë e mirë. Por ajo që nuk është aspak e mirë është fakti që harrohet se ligjin e parë me standarde evropiane për zonat e mbrojtura e bëri qeveria e PS-së në mandatin e parë. Deri në vitin 2017, Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojtura, veprohej me disa rregullore”, pohoi ai.
Kreu i Ekzekutivit u shpreh se PS gjatë mandatit të dytë dhe të tretë e ka çuar në thuajse 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Shqipërisë. Sipas tij, në Shqipëri një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur.
“Ishim ne që krijuam për herë të parë Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, një strukturë që është unike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe e bëmë qysh në fillim të mandatit të parë. Sot Shqipëria ka rrjetin më të zhvilluar të mbrojtjes së natyrës në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është e mirënjohur dhe e vlerësuar nga të gjitha organizatat ndërkombëtare. Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me një administratë të shtrirë në të gjithë vendin për zonat e mbrojtura, ku kemi 12 parqe kombëtare, 28 parqe natyrore, 11 peizazhe të mbrojtura dhe mbi 700 monumente natyre”, theksoi Rama.
“Ishim ne që i bllokuam dhjetëra e dhjetëra leje të dhëna qorrazi mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm në lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e plot 9 hidrocentraleve. Fakti është se për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, bashkë me degët e veta Drino, Bënçë dhe Shushicë, në plot 12 mijë hektarë, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh”, tha Rama.
Kryeministri Rama shtoi se “në Greqinë fqinje dhe mike, ku ndodhen 70 kilometrat e parë të Vjosës, nuk i është dhënë lumit të fundit të egër në Evropë një mbrojtje kaq e fortë sa i kemi dhënë ne”.
“Në Vjosën që jo vetëm e shpëtuam nga hidrocentralet duke e shpallur Park Kombëtar, por sot e gjithë ditën jemi ende në një betejë fyt për fyt me një kriminel që u bë hero i opozitarëve tanë, i cili, sipas tyre, i mori Shqipërisë 110 milionë euro në arbitrazh. Kur opozitarët tanë shpërndanin para zgjedhjeve në të gjitha makinat, nëpër xhama dhe nëpër shtëpi fletushkën se po iknin 110 milionë euro nga taksat”, vuri në dukje ai.
“Ai llum i sjellë në Shqipëri nga të tjerë më parë për ta mjelë këtë vend si lopën e komshiut jo vetëm që s’ka marrë asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, por po përballet me drejtësinë në Belgjikë pas shumë fakteve të depozituara pranë organeve të drejtësisë belge nga qeveria shqiptare. Ndërkohë, hidrocentrali i tij monstruoz, bashkë me mjetet dhe materialet e sekuestruara, përfundoi për skrap”, pohoi Rama.
Rama deklaroi se Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin historik për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe shqiptarët i kanë besuar udhëheqjen e tyre drejt asaj maje.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje. Ky vend s’ka qenë kurrë më një krijesë e kërrusur përpara askujt”, tha Rama.
/e.i/j.p/