Protesta pro UÇK, Rama ndan pamjet nga sheshi “Skënderbej”: Zemra mal!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet e tij sociale për protestën që po mbahet këtë të premte në sheshin “Skënderbej”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Kryeministri Rama ka ndarë pamjet ku janë mbledhur mijëra njerëz nga të gjitha trevat shqiptare.
“Zemra mal”, shkruan Rama krah videos duke e shoqëruar me flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës.
Protesta mban moton “Liria ka emër, Drejtësi për çlirimtarët”.
Kjo protestë është e treta me radhë pas atyre të mbajtura në Prishtinë dhe Hagë, ku më 14 shtator u mblodhën rreth 10 mijë shqiptarë në afërsi të Gjykatës Speciale. Në Hagë, që prej 3 prillit 2023, po zhvillohet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
/vizionplus.tv