Protestat në Francë, pjesëmarrje më e ulët në fundjavën e tretë - por përplasje në qytetet kryesore

Fundjava e tretë radhazi e protestave në Francë është shoqëruar me pjesëmarrje më të ulët se në dy mobilizimet paraprake, ndërsa tensionet dhe përplasjet janë shënuar në Paris, Lyon, Marseille dhe qytete të tjera të mëdha.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në protestat e së shtunës morën pjesë rreth 320 mijë persona në mbarë vendin, prej tyre 70 mijë në Paris, transmeton Telegrafi.
Kjo shifër është dukshëm më e ulët krahasuar me 410 mijë pjesëmarrësit e regjistruar më 24 tetor dhe 550 mijë më 17 tetor. Organizatorët, ndërkaq, kishin pretenduar se në secilën prej këtyre dy ditëve kishin dalë në rrugë rreth 800 mijë protestues.
Pjesëmarrja më e ulët mund të jetë ndikuar edhe nga ndërprerjet në transportin publik. Në Lyon, tramvajet dhe trenat e metrosë po qarkullonin me kapacitet të përgjysmuar, ndërsa në Paris ishin mbyllur më shumë se 40 stacione të metrosë dhe ishte kufizuar edhe qarkullimi i tramvajeve.
Gjatë orëve të para të ditës, Ministria e Brendshme raportoi për një situatë përgjithësisht të qetë, pa incidente të rëndësishme. Deri në orën 14:00 ishin arrestuar 27 persona, krahasuar me 217 arrestime në të njëjtën kohë gjatë protestave të 24 tetorit.
Megjithatë, autoritetet shprehën shqetësimin se mbrëmja e Halloween-it mund të shfrytëzohej si pretekst për përplasje në rrugë, veçanërisht gjatë shpërndarjes së protestuesve. Në Lyon, policia përdori gaz lotsjellës kur demonstruesit mbërritën në sheshin Jean-Macé.
“Organet e sigurisë do të tregojnë vendosmërinë më të madhe ndaj personave përgjegjës për dhunën dhe dëmtimet”, paralajmëroi Ministria e Brendshme.
Protestat nisën muajin e kaluar si lëvizje e nxënësve të shkollave të mesme, të cilët kundërshtonin gjendjen e keqe të objekteve shkollore, mungesën e mësimdhënësve dhe sistemin e pranimit në universitete, që sipas tyre diskriminon studentët nga familjet me të ardhura më të ulëta.
Më pas, lëvizjes iu bashkuan sindikatat dhe grupe të tjera të pakënaqura me politikat e presidentit Emmanuel Macron, duke paraqitur kërkesa të ndryshme sociale.
Shumica e protestuesve kanë qenë paqësorë, por grupe të dhunshme kanë sulmuar vazhdimisht policinë me fishekzjarrë dhe mjete të tjera. Disa protesta janë shndërruar në trazira dhe plaçkitje, përfshirë ato të 17 tetorit, të cilat duket se e zunë qeverinë të papërgatitur.
Policia u është përgjigjur protestuesve me gaz lotsjellës, granata shpërndarëse dhe topa uji, ndërsa këto ndërhyrje kanë shkaktuar edhe lëndime të rënda.
Presidenti Macron kishte deklaruar se marshimet e së shtunës do të mbaheshin larg qendrave të qyteteve, për të mbrojtur bizneset dhe dyqanet. Ndërkohë, policia ndaloi hyrjen në sheshin Place de la République dhe zonën Les Halles në Paris nga ora 23:00 deri në 06:00.
Për këtë fundjavë, të miturve të pashoqëruar u është vendosur ndalimqarkullimi nga ora 21:00 në zonën përreth Champs-Élysées. Megjithatë, një gjykatë në Paris kishte pezulluar të mërkurën një masë të mëparshme të ngjashme, duke e cilësuar atë si kufizim serioz dhe të paligjshëm të lirisë së lëvizjes.
Protestat për çështjet sociale, arsimin dhe strehimin janë përhapur edhe në vende të tjera evropiane.
Në Gjermani, nisma rinore “Gen Z regelt”, që mund të përkthehet si “Gjenerata Z ia del vetë”, ka organizuar tubime në disa qytete, duke kërkuar përmirësime në arsim, shëndetësi, mbrojtjen e klimës dhe kushte më të përballueshme jetese, si dhe duke kundërshtuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Organizatorët thanë se më shumë se 180 mijë persona ishin regjistruar online, por deri të shtunën pasdite në protesta kishin marrë pjesë vetëm disa mijëra.
Në Berlin, të rinjtë u mblodhën pranë Portës së Brandenburgut, duke kërkuar më shumë investime në arsim dhe strehim.
Në Hagë të Holandës, policia shtoi praninë në zonën tregtare të qendrës së qytetit, pas thirrjeve për protesta në internet dhe frikës nga trazirat e plaçkitjet.
Deri në mesditë nuk u regjistruan incidente të mëdha, ndërsa mediat lokale raportuan se policia kontrolloi disa grupe të rinjsh dhe verifikoi identitetin e tyre. Shumë dyqane kishin vendosur dërrasa mbrojtëse në vitrinat e tyre.
Në Itali, policia ishte në gjendje gatishmërie pas përplasjeve të fundit në Milano, Torino dhe Bolonjë. Ndërkohë, në Barcelonë, policia katalanase planifikoi të aktivizonte nivelin më të lartë të alarmit, pas thirrjeve për tubime të reja nga një rrjet anonim në TikTok, i njohur si “Blocus”.
Trazirat e së shtunës së kaluar në këtë qytet përfunduan me rreth 130 arrestime, shumica e të cilëve të mitur.
Thirrje për protesta janë shpërndarë gjithashtu në TikTok në Belgjikë, Holandë, Austri, Zvicër dhe Portugali. /Telegrafi/