E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat në rrethe/ Tensione dhe përplasje mes të rinjve dhe policisë në Lezhë, Burrel, Korçë e Vlorë. Disa të lënduar dhe të shoqëruar

Protestat e nxënësve dhe studentëve janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ku të rinjtë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë për të shprehur kërkesat e tyre. Në disa prej qyteteve, tubimet janë shoqëruar me tensione dhe konfrontime me forcat e policisë.

Në Lezhë, një pjesë e nxënësve, kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në protestë në rrugët e qytetit. Situata është tensionuar kur protestuesit kanë kërkuar të hyjnë në sheshin përpara Bashkisë së Lezhës, ku janë përballur me forcat e policisë.

Gjatë protestës janë raportuar dëmtime të tabelave dhe kangjellave përgjatë rrugëve, si dhe thyerje të xhamave të disa shkollave. Policia ka shtuar praninë në qytet dhe ka rrethuar disa institucione kryesore. Ndërkohë, disa persona janë shoqëruar nga uniformat blu, ndërsa raportohet edhe për persona të lënduar.

Situata është tensionuar edhe në Burrel, ku gjimnazistët janë përplasur me Policinë e Shtetit pas bllokimit të hyrjes së qytetit gjatë protestës. Gjatë incidenteve, efektivët kanë nisur shoqërimin e protestuesve, ndërsa disa prej tyre kanë thyer derën e një furgoni të Policisë.

Sipas informacioneve paraprake, dy persona, një grua dhe një vajzë, kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Protesta e studentëve dhe të rinjve në Vlorë vijon përgjatë bulevardit “Ismail Qemali”, ku janë regjistruar momente tensioni dhe konfrontime me forcat e policisë. Gjatë zhvillimeve janë raportuar shtyrje dhe goditje mes një grupi të rinjsh dhe efektivëve të Policisë. Gjithashtu, drejt godinës së Bashkisë së Vlorës janë hedhur vezë.

Marshimi ka vijuar edhe drejt selisë së Partisë Socialiste në Vlorë, ku protestuesit janë përballur me një kordon policor të vendosur për të penguar afrimin e tyre te godina. Në këtë pikë, të rinjtë kanë hedhur vezë dhe shishe me ujë në drejtim të efektivëve, duke rritur tensionet përpara selisë së partisë.

Në Shkodër marshimi i të rinjve është shoqëruar nga prania e forcave të shumta të policisë. Gjatë marshimit janë raportuar edhe incidente, me thyerje të xhamave në rrugë.

Protesta e të rinjve vijon edhe në qytetin e Korçës, ku protestuesit kanë marshuar përgjatë bulevardit “Republika”. Gjatë zhvillimeve, situata është tensionuar, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të policisë dhe shoqërimin e disa prej të rinjve pjesëmarrës në protestë.

Gjatë marshimit, disa prej protestuesve kanë shkulur tabela, ndërsa raportohet se janë hedhur gurë në drejtim të efektivëve të Policisë dhe institucioneve. Gjithashtu, janë rrëzuar kosha mbeturinash përgjatë rrugës dhe janë dëmtuar elementë të infrastrukturës publike.

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, të rinjtë kanë vijuar grumbullimin dhe marshimin përgjatë bulevardit “Republika”, ndërsa situata është shoqëruar me tensione.

Ndërkohë, në Lushnjë gjimnazistët janë mbledhur në sheshin qendror, përballë Bashkisë. Të rinjtë po mbahen nën vëzhgimin e forcave të shumta të Policisë, si me uniformë, ashtu edhe civilë.

Protestat vijojnë në disa qytete të vendit, ndërsa në zonat ku janë regjistruar incidente, policia ka shtuar masat e sigurisë. Deri më tani, raportimet nga terreni flasin për përplasje, dëmtime të pronës publike, shoqërime dhe persona të lënduar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›