Protestë e pazakontë në burgun e Brazilit, dy të paraburgosur ngjiten në depozitën e ujit! Njëri kërkon të drejtat, tjetri i shpreh dashurinë partneres

Dy të paraburgosur në qendrën e paraburgimit Pinheiros (CDP), në São Paulo të Brazilit, organizuan një protestë të pazakontë, duke iu shmangur përkohësisht shoqërimit të brendshëm dhe duke u ngjitur në depozitën e ujit të burgut.
Ngjarja ndodhi të enjten pasdite, teksa të burgosurit po transferoheshin drejt shkollës që ndodhet brenda institucionit. Veprimi i tyre shkaktoi trazira dhe vuri në lëvizje autoritetet e burgut. Njëri prej të paraburgosurve kishte veshur një bluzë të bardhë me mbishkrimin “Të Drejtat e Njeriut, Urgjente”, ndërsa tjetri shfrytëzoi momentin për të përcjellë një mesazh personal, duke shkruar: “Raquel, të dua”.
Pamjet e transmetuara nga televizioni Globo treguan dy burrat në majë të depozitës, ku njëri prej tyre mbante ende prangat. Pas negociatave që zgjatën rreth një orë me zyrtarët e burgut, të dy zbritën vetë.
Në momentin që dolën nga struktura, ata përqafuan oficerët e burgut dhe treguan se nuk kishin asgjë në xhepa. Sipas autoriteteve, asnjëri prej tyre nuk pësoi lëndime gjatë incidentit. Në një deklaratë, Policia e Burgjeve e Shtetit të São Paulo bëri të ditur se të paraburgosurit kishin shfrytëzuar një moment të lëvizjeve të brendshme për t’u ngjitur në depozitën e ujit. Pas ngjarjes, të dy do të transferohen në një institucion tjetër, ku do të përballen me masa disiplinore.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb