E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protestë edhe në Shkodër, qytetarët marshojnë nga Katedralja drejt Bashkisë

Edhe në Shkodër është zhvilluar protesta e njohur si “Revolucioni Flamingo”, ku morën pjesë kryesisht të rinj. Tubimi nisi pranë Katedrales së Shkodrës, e cila ishte caktuar si pikë takimi, ndërsa më pas protestuesit marshuan përgjatë rrugës së Gjuhadolit dhe pedonales “28 Nëntori”, për t’u ndalur në sheshin para Bashkisë Shkodër.

Gjatë marshimit dhe në fjalimet e mbajtura para bashkisë, pjesëmarrësit shprehën shqetësime lidhur me shpopullimin e vendit, largimin e të rinjve, varfërinë dhe korrupsionin. Disa prej tyre ngritën gjithashtu çështjen e ndërtimeve, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj zhvillimit urban dhe ruajtjes së interesit publik.

“Duhet të protestojmë për sa i përket ndërtimeve, kjo është kriza e re. Sot duhet protestuar dhe për familjen dhe kombin. Nuk duhet të lejmë në asnjë mënyrë që ky vend të zhbëhet”, tha një protestues.

Një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve vinin nga zona e Velipojës, ku prej muajsh banorët vijojnë kundërshtimin ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Baks-Rrjollit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›