Protestuesit përplasje me policinë, tentojnë të çajnë perimetrin e sigurisë së Kuvendit

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Ditën e sotme, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, po zhvillohet jashtë ambienteve të parlamentit protesta e radhës e qytetarëve.
Forca të shtuara sigurie kanë rrethuar perimetrin e zonës përreth parlamentit, aty ku edhe po mbahet seanca plenare.
Efektivët janë vendosur në ambiente të ndryshme, duke vendosur gardh metalik dhe kordon në akset që të çojnë te godina e Kuvendit.
Pas rreth një ore qëndrim afër ambienteve të Kuvendit, një pjesë e protestuesve kanë nisur marshimin duke u zhvendosur drejt Ministrisë së Brendshme dhe drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Edhe në këtë marshim ata janë ndeshur me perimetrin e sigurisë së policisë.
Mediet raportuan për konfrontim fizik të një protestuesi me policinë, ndërsa janë hedhur vezë drejt efektivëve.
Po ashtu, protestuesit kanë përmbysur koshat e mbeturinave nëpër rrugë.
Protestuesi u shoqërua nga policia, pasi tentoi të çajë kordonin policor të vendosur në zonë, çka ka sjellë përplasjen me uniformat blu.
Pas incidentit, efektivët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë shoqërimin e protestuesit.
Ndërkaq, protestuesit pranë urës së Rrugës së Elbasanit tentuan të hyjnë në perimetrin e sigurisë duke u konfrontuar me policinë. Si rrjedhojë, policia ka shoqëruar disa prej tyre.
Qytetarët bllokuan rrugën në bulevardin “Zhan D’Ark” ndërsa policia bënë thirrje për të liruar aksin pasi është vepër penale.
Protesta para Kuvendit, foto: Florian Abazaj 1 nga 29/j.p/r.e/