E Martë, 3 Nëntor 2026

Provimi i gjuhës së huaj, maturantët flasin pas përfundimit të testit

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Mbi 27 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan sot provimit të Maturës Shtetërore 2025, duke filluar me provimin e gjuhës së huaj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përcolli në rrjetet sociale mesazhet e disa prej maturantëve në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet, ku pas përfundimit të testit të gjuhës së huaj, ata folën për emocionet, nivelin e vështirësisë së testit, administrimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit.

“Sa kemi dalë nga provimi i parë i gjuhës së huaj dhe me thënë të drejtën kisha pak emocione. Por, sapo u njoha me tezën e pashë që ishte për të gjitha nivelet dhe çdo gjë shkoi shumë mirë, si organizimi dhe mbarëvajtja e gjithë testit”, tha një prej gjimnazisteve.

Një tjetër maturante u shpreh se ishte përgatitur gjithë vitin dhe testi ishte brenda pritshmërive sa i takon shkallës së vështirësisë.

“Kam përshtypjen që mund të kem dalë mirë. Procesi ishte shumë mirë, kishte mbarëvajtje deri në momentin kur mbaroi provimi”, u shpreh një tjetër.

“Provimi ishte i nivelit mesatar. Për mua ishte shumë i lehtë, shpresoj të kemi dalë mirë”, pohoi një tjetër maturant.

Pas provimit të gjuhës së huaj, maturantët do të zhvillojnë provimet e radhës si provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 10 qershor, Matematika më 17 qershor dhe provimi me zgjedhje më 24 qershor. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›