E Premte, 6 Nëntor 2026

Pse ari nuk ndryshket kurrë? Shkencëtarët zbulojnë mekanizmin që i ruan shkëlqimin - ATSH -

ROMË, 6 nëntor /ATSH/ – Ari nuk ndryshket falë një strukture të veçantë atomike, zbulohet arsyeja pse metali i çmuar ruan shkëlqimin e tij, shkruan focus.it.

Ari ruan shkëlqimin dhe ngjyrën e tij për një kohë të pakufizuar, jo thjesht për shkak të përbërjes kimike, por edhe falë mënyrës se si organizohen atomet në sipërfaqen e tij. Një studim i ri ka zbuluar mekanizmin që e mbron këtë metal nga oksidimi, një proces që shkakton ndryshkjen e metaleve si hekuri dhe bakri.

Për të kuptuar këtë veçori, një ekip studiuesish nga Universiteti Tulane në Nju Orleans, SHBA, ka simuluar në kompjuter sjelljen e atomeve në sipërfaqen e arit. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore Physical Review Letters.

Në përgjithësi, oksidimi ndodh kur sipërfaqja e një metali tërheq molekulat e oksigjenit që ndodhen në ajër, duke ndarë dy atomet që i përbëjnë ato. Atomet e liruara më pas lidhen me metalin dhe formojnë përbërje të reja kimike.

Studiuesit zbuluan se, kur ari pritet ose përpunohet, atomet në sipërfaqen e tij mund të organizohen në konfigurime të ndryshme, duke formuar struktura drejtkëndore, katrore ose gjashtëkëndore.

Megjithatë, në kushte normale, këto atome riorganizohen shpejt dhe priren të marrin një strukturë gjashtëkëndore, pasi kjo formë kërkon më pak energji për të qenë e qëndrueshme.

Pikërisht kjo strukturë duket se përbën sekretin e rezistencës së arit ndaj oksidimit. Sipas studiuesve, kur atomet e arit vendosen në formë gjashtëkëndore, aftësia e tyre për t’u bashkuar me oksigjenin zvogëlohet me miliarda herë.

Në të kundërt, nëse atomet do të ruanin një organizim katror ose drejtkëndor, edhe ari do të ishte i ekspozuar ndaj procesit të oksidimit.

Zbulimi mund të ketë edhe aplikime praktike në të ardhmen. Studiuesit vlerësojnë se, nëse do të gjendej një mënyrë për të detyruar përkohësisht atomet e arit të ruanin konfigurime të tjera, kjo mund të mundësonte krijimin e katalizatorëve të rinj për kapjen e dioksidit të karbonit (CO2) ose për prodhimin e plastikës miqësore me mjedisin.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›