E Premte, 6 Nëntor 2026

Sekuestrohen 10 milionë euro pasuri, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq një shtetas italian - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin italian Giovanni Telesca dhe Euro Beton 2005 sh.p.k., i  akuzuar për veprat penale të  “Mashtrimit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale, u morën të pandehur dhe u përfunduan hetimet për shtetasin italian G.T. dhe personi juridik “Euro Beton 2005”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas përmes “Euro Beton 2005” sh.p.k., ka përfituar lëndë të parë nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, e më pas duke mohuar furnizimet dhe detyrimet. Lëndët e para janë përdorur për prodhimin dhe shitjen e betonit. Dyshohet se furnizimet e pafiskalizuara dhe shitja e betonit kanë shërbyer për fshehjen e të ardhurave dhe ligjërimin e përfitimeve të paligjshme.

Hetimet disa mujore vërtetuan skemën e mashtrimit dhe u vendos sekuestro preventive, ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjektit “EURO BETON 2005”, të cilat kapin vlerën rreth 10.000.000 euro.

Në funksion të veprimeve të kryera, u bë e mundur që të sekuestrohen pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme si dhe aktiviteti tregtare, të cilat iu kaluan në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara si më poshtë:

Në njoftimin e Prokurorisë Tiranë thuhet se u sekuestruan tetë pasuri të paluajtshme në pronësi të subjektit nën hetim si tokë arë, me sipërfaqe 560 m²; pallat, me sipërfaqe 2780 m², si dhe 914 m² ndërtim; tokë-arë me sipërfaqe 1580 m²; tokë-arë me sipërfaqe 310 m²; njësi, me sipërfaqe 71,5 m²; tokë-arë me sipërfaqe 63 m², në bashkëpronësi të shoqërisë “EURO BETON 2005” sh.p.k. njësi, me sipërfaqe 61,6 m², vol. 30, fq. 52, ZK 8160; njësi, me sipërfaqe 138,84 m², vol. 19, fq. 235, ZK 8180.

Gjithashtu u sekuestruan pasuri të luajtshme në pronësi të subjektit nën hetim, në total 25 automjete të tipit betonierë, pombë betoni, transport e pompa betoni.

/e.i/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›