Pse çmimet Oscar arritën kulmin me “Titanic” dhe rënia e ndjeshme e shikueshmërisë sot së Academy Awards

Ceremonia e 70-të e Oscar-ve në vitin 1998 mbetet më e shikuara në histori, me rreth 57 milionë shikues në SHBA. Mbrëmja u dominua nga “Titanic” i regjisorit James Cameron, i cili fitoi 11 çmime nga 14 nominime. Momenti kur Cameron shpalli “I’m the king of the world!” u bë ikonë e kulturës pop.
Ceremonia ishte një spektakël madhështor: aktorë legjendarë në një “foto familjare”, homazhe për klasikët e Hollivudit, si dhe performanca nga yje si Celine Dion dhe Michael Bolton. Në skenë u shfaq edhe ariu i famshëm Bart, ndërsa emra si Martin Scorsese u bënë pjesë e homazheve për figura si Stanley Donen. Në sallë, yje si Kate Winslet dhe Gloria Stuart, të dyja të nominuara, simbolizonin suksesin e jashtëzakonshëm të filmit.
Pse ranë shifrat?
Pas vitit 1998, audienca nisi të bjerë ndjeshëm: nga 46 milionë në 1999, në rreth 30–40 milionë në fillim të viteve 2000, deri në 10 milionë në vitin 2021 (gjatë pandemisë). Vitin e kaluar shifra ishte rreth 20 milionë. Arsyet kryesore përfshijnë:
1. Ndryshimi i shijeve të publikut
Historikisht, fituesit e çmimit për Filmin më të Mirë ishin edhe ndër filmat më fitimprurës të vitit. Klasikë si Casablanca, Ben-Hur dhe My Fair Lady ishin suksese masive dhe fitues Oscar-ësh. Në vitet ’90, fituesit e Filmit më të Mirë gjeneruan gati 5 miliardë dollarë globalisht. Në vitet 2010 kjo shifër ra në rreth 2 miliardë.
Sot, filmat më fitimprurës janë kryesisht aventura superheronjsh, fantazi epike apo adaptime videolojërash — zhanre që rrallë triumfojnë në Oscar. Akademia dhe publiku nuk ndajnë më të njëjtin entuziazëm për të njëjtët filma.
2. Rënia e shikueshmërisë së televizionit tradicional
Transmetimi linear ka humbur terren përballë platformave streaming dhe rrjeteve sociale. Audienca është më e fragmentuar dhe më pak e prirur të ndjekë një ceremoni disaorëshe live.
3. Ndryshimi i industrisë së filmit
Buxheti mesatar i fituesve të Filmit më të Mirë në vitet ’90 ishte rreth 50 milionë dollarë; në vitet 2010 ra në rreth 20 milionë. Me më pak investim dhe më pak sukses komercial, interesi masiv për filmat e nominuar është dobësuar dhe bashkë me të edhe interesi për ceremoninë.
4. Një hendek mes Akademisë dhe publikut
Në vitin 1998, “Titanic” ishte njëkohësisht fenomen kulturor dhe triumf kritik. Sot është e rrallë që një film të jetë edhe fenomen global edhe favorit i Akademisë. Ky hendek duket se është arsyeja kryesore pse ceremonia më prestigjioze e kinemasë nuk arrin më shifrat rekord të fundviteve ’90.
Pyetja për producentët e sotëm mbetet: a mund të rikthehet ndonjëherë një moment unifikues si ai i “Titanic”, apo epoka e artë e Oscarëve ka mbetur përgjithmonë në të kaluarën?
/rtsh.al/