Sanremo 2026, mbrëmja e dytë, 15 “Big” në skenë dhe përballjet e të rinjve

Pas një nate të parë plot emocione dhe rekorde audience, Festivali i Sanremos 2026 rikthehet sonte me mbrëmjen e dytë. Nën drejtimin e Carlo Contit dhe Laura Pausinit, skena e Teatrit Ariston do të mirëpresë 15 nga artistët e “Mëdhenj” (Big), si dhe sfidat e para eliminatore për kategorinë e “Të Rinjve” (Nuove Proposte).
Kasti i prezantuesve do të pasurohet sonte me praninë e tre bashkëprezantuesve të ftuar: aktores Pilar Fogliati, këngëtarit Achille Lauro dhe komedianit Lillo, duke premtuar një gërshetim të muzikës me spektaklin dhe humorin.
Gara e “Të Mëdhenjve” dhe rregullat e votimit
Sonte do të performojnë 15 nga 30 artistët pjesëmarrës. Renditja e tyre e performancës nuk është zbuluar ende, por emrat janë konfirmuar sipas rendit alfabetik:
Bambole di Pezza, Chiello, Dargen D’Amico, Ditonellapiaga, Elettra Lamborghini, Enrico Nigiotti, Ermal Meta, Fedez, Aka7even, Levante, Nayt, Patty Pravo dhe Tommaso Paradiso. (Pjesa tjetër e artistëve do të performojë në mbrëmjen e tretë).
Si do të votohet?
Për këta 15 artistë, fati i natës së sotme është në duart e publikut dhe radios. Pesha e votave do të ndahet në mënyrë të barabartë: 50% nga Televotimi dhe 50% nga Juria e Radios. Në fund të mbrëmjes, nuk do të ketë një renditje të plotë, por do të shpallen vetëm 5 këngët më të votuara, në një renditje të rastësishme (pa treguar fituesin absolut të natës).
“Të Rinjtë”, sfidat kokë më kokë
Gara bëhet e ashpër për kategorinë e të sapoardhurve, ku Gianluca Gazzoli do t’i bashkohet Contit për të drejtuar këtë segment. Katër artistë të rinj do të përballen në dy duele të drejtpërdrejta:
Filippucci përballë Blind, El Ma & Soniko
Mazzariello përballë Angelica Bove
Për këtë kategori, sistemi i votimit është i ndarë në tre shtylla: 34% Televotimi, 33% Juria e Sallës së Shtypit (TV dhe Web), dhe 33% Juria e Radios. Vetëm dy fituesit e këtyre përballjeve do të sigurojnë biletën për në mbrëmjen e tretë.
Yjet e sportit në Ariston
Mbrëmja do t’i kushtojë një hapësirë të veçantë Lojërave Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”. Në skenë do të ngjiten yjet e sportit italian, kampionet olimpike Arianna Fontana, Francesca Lollobrigida dhe Lisa Vittozzi, së bashku me kampionët paralimpikë Giacomo Bertagnolli (i udhëhequr nga Andrea Ravelli) dhe Giuliana Turra.
/rtsh.al/