Pse perfeksionizmi në prindërim dëmton vetëbesimin dhe instinktin prindëror?

Prindërit e sotëm kanë më shumë informacione dhe këshilla për rritjen e fëmijëve se kurrë më parë, por kjo nuk do të thotë se ndihen më të sigurt në rolin e tyre.
Përkundrazi, krahasimet e vazhdueshme dhe presioni për të qenë prindër të përsosur po i bëjnë shumë prej tyre të dyshojnë në vendimet dhe aftësitë e veta, shkruan The Parent Edit.
Fëmijëria shpesh trajtohet si një projekt që duhet planifikuar në çdo detaj. Nga gjumi dhe ushqimi te aktivitetet jashtëshkollore dhe rezultatet në shkollë, prindërit ndihen sikur duhet t'u ofrojnë fëmijëve çdo mundësi të mundshme. Edhe një pasdite e lirë mund të shihet si kohë e humbur.
Situata ndërlikohet nga moria e këshillave në internet. Disa ekspertë theksojnë rëndësinë e mbështetjes emocionale, të tjerë disiplinën dhe vendosjen e kufijve.
Përballë kaq shumë qasjeve, prindërit mund të fillojnë të vënë në dyshim çdo vendim dhe të humbasin besimin në gjykimin e tyre.
Presioni shtohet edhe nga përpjekja për të balancuar punën me familjen. Prindërit shpesh ndihen fajtorë kur nuk kanë kohë ose energji të mjaftueshme për fëmijët, ndërsa mesazhet se duhet të shijojnë çdo moment të fëmijërisë mund ta shtojnë këtë ndjenjë.
Megjithatë, të duash fëmijët nuk do të thotë të jesh i lumtur në çdo moment të prindërimit.
Fëmijët nuk kanë nevojë për prindër që nuk gabojnë kurrë, por për të rritur që i dëgjojnë, i kuptojnë, u vendosin kufij dhe u ofrojnë siguri.
Pranimi i gabimeve dhe përpjekja për të përmirësuar marrëdhënien me ta janë pjesë e rëndësishme e prindërimit.
Ndonjëherë, të ulësh pritjet dhe të ndalosh krahasimin me të tjerët është më e dobishme sesa të kërkosh vazhdimisht metodën perfekte. /Telegrafi/