Punime ndërtimi pa leje, 2 të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se arrestoi 2 shtetas pasi u kapën në flagrancë, duke kryer punime ndërtimi pa leje.
Policia shpalli në kërkim 37-vjeçarin për llogari të të cilit po ndërtohej objekti pa leje si dhe procedoi penalisht babanë e tij, i cili ndiqte punimet. Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve që po kryhen me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 konstatuan se pas një banese ekzistuese në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, po kryheshin punime pa leje, për ndërtimin e një objekti të ri. Për këtë rast: -u arrestuan në flagrancë shtetasit N. V., 37 vjeç dhe A. D., 28 vjeç, përkatësisht inxhinieri që drejtonte punimet dhe 1 punonjës; -u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi S. I., 37 vjeç; -u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e 37-vjeçarit, shtetasin B. I., i cili ndiqte punimet. Vijon puna për kapjen e shtetasit S. I.. Gjithashtu, vijojnë kontrollet për konstatimin e rasteve të ndërtimeve dhe zënies së hapësirave publike, pa leje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.