Pranvera Kastrati në krye të Sekretariatit të CEFTA-s, Rama: Moment krenarie për të gjithë shqiptarët

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një moment krenarie për të gjithë shqiptarët emërimin e Pranvera Kastratit në postin e drejtoreshës së re të Sekretariatit të CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore).
Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e këtij emërimi, duke nënvizuar se tashmë një përfaqësuese nga Shqipëria do të ketë një rol kyç në drejtimin e një strukture rajonale me rëndësi strategjike për bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Kryeministrit Rama, Kastrati do të punojë në mënyrë efektive me të gjitha palët për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s, si dhe për përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta që synojnë integrimin ekonomik të rajonit dhe përshpejtimin e afrimit me tregun e vetëm të Bashkimit Europian.
“Një moment krenarie për të gjithë, emërimi i shqiptares Pranvera Kastrati, në postin e rëndësishëm të Drejtoreshës së re të Sekretariatit të CEFTA-s. Tashmë një përfaqësuese e Shqipërisë do të punojë në mënyrë efektive me të gjitha palët për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta drejt integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të integrimit me Tregun e Vetëm të BE-së”, u shpreh Rama.
/r.e//a.f/