Punonjësi i Gardës, nën hetim për kanosje ndaj oficerit të policisë në Elbasan

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (rajoni Elbasan-Korçë) referoi sot materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në ngarkim të një punonjësi të Gardës së Republikës, me inicialet M.A., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kanosje për shkak të detyrës”.
Sipas njoftimit të AMP-së, hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit B.L., me funksionin Shef Sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan, i cili pretendoi se ishte kanosur nga punonjësi i Gardës, për motive të dobëta dhe në lidhje me ushtrimin e detyrës së tij zyrtare.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore konstatoi elementë të veprës penale dhe procedoi me referimin e çështjes në prokurori, për vijimin e hetimeve të mëtejshme.
Çështja po ndiqet nga organet kompetente në kuadër të garantimit të ligjshmërisë dhe integritetit të punonjësve të strukturave të sigurisë, ndërsa hetimet pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes.
e.xh/j.p/