VanHorn takon Dumanin: SHBA, krenare që bashkëpunojnë me SPAK për goditjen e organizatave kriminale ndërkombëtare

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn zhvilloi sot një takim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Altin Dumani.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se në takim u diskutua për punën e guximshme të SPAK dhe BKH në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe trafikun e drogës.
“Ata diskutuan gjithashtu edhe mbi takimet e fundit të Dumanit në Uashington me zyrtarë të Administratës Trump në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës së SHBA-së.
Dumani ndodhet në përfundim të mandatit të tij 3-vjeçar ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi dje shpalljen e vendit vakant për drejtues të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Prokurorët do të kenë mundësi të aplikojnë për këtë post me rëndësi deri më 8 tetor të këtij viti.
1 nga 5/m.m/j.p/