Putin propozoi takimin me Zelenskyn në Moskë, presidenti ukrainas nga Parisi: Asnjë shenjë që Rusia dëshiron paqe

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu pikëpamjen se nuk sheh “asnjë shenjë që Rusia dëshiron paqe” në reagimin e tij të parë ndaj deklaratave të Putinit se është i gatshëm të takohet me të në Moskë.
Deklarata e Zelensky-t u bë në krah të Presidentit Francez Emmanuel Macron, i cili e priti atë të mërkurën pasdite në Pallatin Elysee.
Më parë, në një intervistë në Pekin, presidenti rus tha se ishte i gatshëm të takohej me Volodymyr Zelensky në Moskë. Konkretisht, ai u përgjigj se kjo mund të ndodhte për sa kohë që takimi ishte “i përgatitur mirë”. Udhëheqësi rus pyeti në mënyrë retorike nëse kishte “ndonjë kuptim” të takohej me Zelenskyn, por vazhdoi duke thënë se i kishte thënë Donald Trump se ishte i lumtur ta takonte atë në Rusi.
Nuk kam refuzuar kurrë ta bëj këtë, nëse kjo çon në rezultate pozitive”, tha ai.
“Dhe meqë ra fjala, Donald më pyeti nëse ishte e mundur dhe tha se ishte e mundur. Unë thashë, le të vinte në Moskë.”
“Unë besoj se, nëse ka logjikë të shëndoshë, është e mundur të biem dakord për një opsion të pranueshëm ose një mënyrë të pranueshme për t’i dhënë fund këtij konflikti”, theksoi Putin. Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibikha e quajti propozimin e presidentit rus të papranueshëm. Siç shkroi Sibikha në një postim në X, të paktën shtatë vende, përfshirë Austrinë, Vatikanin, Zvicrën dhe tre vende të Gjirit, janë gati të presin një takim të tillë.