E Hënë, 2 Nëntor 2026

QIPRO – Aleati i Erdoganit thirrje për bashkim të turkoqipriotëve me Turqinë

ANKARA, 21 tetor /ATSH/ – Lideri nacionalist turk Devlet Bahçeli deklaroi se shteti separatist turkoqipriot duhet të zhvillojë një votim parlamentar për t’iu bashkuar Turqisë, vetëm dy ditë pasi turkoqipriotët zgjodhën një kandidat që mbështet rifillimin e bisedimeve me qipriotët grekë, sipas “Reuters”.

Bahçeli, një aleat kyç i presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe që shpesh ka paraprirë qëndrimet e qeverisë me deklaratat e tij, hodhi poshtë thirrjet për një zgjidhje federale në ishullin e ndarë etnikisht, duke theksuar se “Qipro është tokë turke dhe atdheu i turqve”.

Fitorja bindëse e politikanit të qendrës së majtë, Tufan Erhurman në zgjedhjet presidenciale turkoqipriote ka ringjallur shpresat për një zhbllokim të bisedimeve të paqes, të cilat kanë qenë të ngrira për tetë vite.

Erhurman është zotuar të rifillojë negociatat me qipriotët grekë. Erdogan e uroi atë pas zgjedhjeve të së dielës, por deklaratat e Bahçelit nxjerrin në pah shtysën e bllokut nacionalist për një afrim më të madh politik dhe territorial me Ankaranë.

“Parlamenti i RTQQ-së duhet të marrë një vendim për t’iu bashkuar Republikës së Turqisë”, tha Bahçeli para grupit të tij parlamentar, duke iu referuar Republikës Turke të Qipros së Veriut, e cila njihet vetëm nga Turqia.

“S’ka asnjë të ardhme për propozimet për federatë. Qipro është çështja jonë kombëtare dhe s’ka kthim pas nga kjo kauzë e drejtë”, shtoi ai, duke kritikuar njëkohësisht pjesëmarrjen në zgjedhjet e së dielës, të cilën e quajti të pamjaftueshme për të përfaqësuar fatin e turkoqipriotëve.

Bahçeli dhe Erdogan, ndonëse nuk i përkasin të njëjtës parti, kanë qenë në një aleancë qeverisëse që prej vitit 2018. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›