QIPRO – Greva mbarëkombëtare paralizon udhëtimet ajrore

ATHINË, 11 shtator /ATSH-DPA/ – Udhëtarët në Qipro pritet të përballen sot me vonesa të mëdha, për shkak të një greve mbarëkombëtare të thirrur nga sindikatat.
Sipas operatorit të aeroporteve ndërkombëtare të Larnakës dhe Pafosit, deri në mesditë do të preken rreth 50 fluturime dhe 15 mijë pasagjerë.
Greva, e cila do të zgjasë nga ora 11:00 deri në 14:00 (08:00-11:00 GMT), është organizuar në shenjë proteste ndaj uljes së kompensimit automatik për inflacionin. Që prej vitit 2023, punonjësve u është paguar vetëm dy të tretat e këtij shtese, në vend të shumës së plotë.
Përveç aviacionit, protesta pritet të ndikojë në shkolla, transportin publik dhe disa shërbime shëndetësore. Infrastruktura kritike si energjia elektrike, furnizimi me ujë, telekomunikacioni dhe shërbimet emergjente do të vazhdojnë punën me staf të reduktuar.
Mosmarrëveshja mes sindikatave, shoqatave të biznesit dhe qeverisë për të ardhmen e kompensimit të inflacionit mbetet e pazgjidhur. Pas dështimit të bisedimeve, palët pritet të rikthehen në tryezë nën ndërmjetësimin e Ministrisë së Punës. /Ad.Ab./