QSUNT: Dy akseleratorët linearë të njësisë së Radioterapisë janë në funksion të plotë

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) bën të ditur se të dy akseleratorët linearë të njësisë së Radioterapisë janë në funksion të plotë dhe ofrojnë trajtime sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë për pacientët.
Sot, sipas QSUNT, akseleratori LINAC 1 ka shfaqur një problem teknik në sistem.
“Menjëherë pas njoftimit nga stafi, u kërkua asistenca e teknikëve të mirëmbajtjes. Pas ndërhyrjes së kryer nga inxhinierët dhe zëvendësimit të një komponenti të akseleratorit, u realizuan të gjitha verifikimet mekanike dhe dozimetrike, si dhe kalibrimet e nevojshme”, informoi QSUNT.
Këto procese, theksoi QSUNT, garantuan funksionimin e pajisjes në përputhje me standardet e kërkuara për trajtimin e pacientëve.
Ndërkohë, sipas QSUNT-së, akseleratori LINAC 2 funksionon normalisht pas ndërhyrjes së ekspertëve për defektin teknik të derës së bunkerit ku është i vendosur.
“Aktualisht të dy akseleratorët linearë janë në funksion dhe punojnë me kapacitet të plotë, duke siguruar që trajtimet të realizohen pa ndërprerje”, deklaroi QSUNT.
/r.e/a.f/