QSUNT përgënjeshtron lajmin për 300 të rinj me probleme toksikologjike: Vetëm një rast abuzimi me alkoolin - ATSH -
TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë dhe Adiktologjisë Klinike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dr. Andrin Tahiri, ka reaguar sot lidhur me një lajm të shpërndarë në medie, sipas të cilat 300 të rinj dhe të reja kanë marrë asistencë mjekësorë toksikologjike nën efektin e drogës.
Në videomesazhin e dr. Tahirit, të shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bëhet e ditur se informacioni i publikuar në media nuk përputhet me të vërtetën.
“Lajmi i fundit për paraqitjen e një fluksi pacientësh të rinj dhe të reja në urgjencën polivalente të QSUT-së që kanë kërkuar asistencë mjekësore toksikologjike, është lajm i rremë. Lajmi është për abuzimin me alkoolin dhe për rape drugs. Pra, ajo ka qenë një ditë feste, si të gjithë festat e tjera, ku fluksi rritet, por jo në ato përmasa dhe jo me abuzimin me rape drugs”, tha Tahiri.
“Rape drugs është një lloj droge e re, e cila jep efektet e një amnezie të plotë, për rastin që e përdor ose abuzohet, nuk kundërshton dhe quhet ‘drogë e përdhunimit’. Raste të tilla nuk kemi pasur. Me gjithë konsideratën e madhe për gazetarët apo ata që merren me gazetari, mund t’ju them që herët e tjera duhet të marrin lajmin e vërtetë dhe mos anë ta paraqesin atë. Për ironi të fatit mund t’ju them që atë ditë, asistencë mjekësore toksikologjike është kërkuar vetëm për një rast”, vijoi ai.
QSUNT vë theksin te rëndësia e verifikimit të informacionit përpara publikimit dhe apelon për përgjegjshmëri profesionale në raportimin e çështjeve që lidhen me shëndetin publik.
/e.i/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
