E Hënë, 2 Nëntor 2026

QTTB Korçë, laboratori i inovacionit që po transformon prodhimin bujqësor

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Korçë është kthyer në një bazë eksperimentale për testimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja në bujqësi, me synim rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit vendas.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndau në rrjete sociale pamje nga veprimtaria e zhvilluar në këtë qendër, ku u organizua dita fushore me pjesëmarrjen e fermerëve dhe tregtarëve të inputeve bujqësore.

Gjatë aktivitetit u prezantuan kultivarë të grurit, elbit, patates, fasules, perimeve dhe bostanoreve, si pjesë e demonstrimeve vjetore për teknologjitë dhe varietetet e reja bujqësore.

Salla theksoi se përmes fushave krahasuese në QTTB Korçë janë evidentuar kultivarët me performancën më të mirë, ndërsa fermerëve iu prezantuan praktika më efikase të kultivimit, me qëllim rritjen e produktivitetit, cilësisë dhe konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.

Sipas ministrit, QTTB Korçë vijon të shërbejë si një urë lidhëse mes kërkimit shkencor dhe fermerëve, duke sjellë në terren teknologji të reja dhe zgjidhje inovative për një bujqësi më moderne dhe të qëndrueshme.

1 nga 3

/e.xh/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›