Qarkullonte me automjet i armatosur, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohen familjarët, kundërshtuan policinë

Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi u kap duke qarkulluar me automjet, në të cilin mbante një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Ngjarja është regjistruar në rrugën “Kastriotët”, ku specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara, kanë ndaluar për kontroll automjetin që drejtohej nga 20-vjeçari Saverjo Daci, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve hetimore, dy familjarë të të arrestuarit, 51 dhe 23 vjeç, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë kontrollit të banesës, me qëllim pengimin e kryerjes së tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.