E Diel, 1 Nëntor 2026

Qato: 100 pacientë në ditë gjatë janarit në Infektivin e QSUT

TIRANË, 30 janar/ATSH/  Në Shërbimin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë gjatë muajit janar është shënuar një rritje e ndjeshme e fluksit të pacientëve, kryesisht me simptoma të gjendjes gripale.

Mjekja infeksioniste, dr. Migena Qato, këshillon për rritje të kujdesit personal dhe vaksinimit si masa thelbësore për parandalimin e komplikacioneve.

Në lidhje me virusin e ri që po qarkullon në Indi, dr. Qato bën me dije se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vendin tonë, duke theksuar se Shërbimi Infektiv ndodhet në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme.

“Virozat edhe gripi janë kryefjala e diagnozave infektive që pranohen në Shërbimin Infektiv aktualisht. Janë rreth 100 raste të paraqitura në ditë gjatë janarit me simptoma të ndryshme. Grupmoshat e prekura janë të ndryshme nga mbi 14 vjeç deri në moshat e treta, të cilat përbëjnë një shqetësim të veçantë sa i përket sëmundjeve bashkëshoqëruese dhe komplikacioneve tek këto mosha që shpesh herë mund të rezultojnë të jenë edhe fatale”, theksoi Qato.

Sipas saj, të sëmurët paraqiten me simptoma nga më të lehtat si temperaturë, dhimbje të lehta muskulare, të cilat mund të trajtohen edhe në kushte shtëpie.

“Pastaj vijnë raste më të rënda që shoqërohen me komplikacione siç janë bronkopneumonitë që në këto momente janë shqetësimi ynë kryesor. Shpesh kërkojnë kujdes të veçantë dhe shtrim në spital pavarësisht grupmoshave të tyre”, tha Qato duke shtuar se rreth 30-40% e rasteve që paraqiten në urgjencë janë kandidatë për shtrim në spital.

Qato vuri në dukje se është për t’u përshëndetur fakti që numri i njerëzve që mjekohen vetë në shtëpi sa vjen e po zvogëlohet.

Sa i përket virusit që po qarkullon në Indi, Qato tha se “nuk duhet krijuar panik, të paktën deri sa pa e provuar këtë gjë në rajon. Pra, ne nuk kemi konstatuar raste të tilla”.

Mjekja Qato i bëri apel qytetarëve të vaksinohen, pasi tha ajo “vaksinimi është një indikacion i yni që nuk do resht asnjëherë”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›