Drejt përfundimit investimi në shkollën dhe kopshtin e Ishmit, hapësira moderne për fëmijët

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Një shkollë e re dhe një kopsht po bëhen gati për fëmijët e komunitetit të njësisë administrative të Ishmit në Durrës, duke krijuar një hapësirë moderne dhe funksionale arsimore, në shërbim të nxënësve dhe fëmijëve të shkollës së mesme të bashkuar dhe kopshtit “Rexhep Mezini”.
Objekti i ri ofron mjedise cilësore, të sigurta dhe frymëzuese, të projektuara për të mbështetur procesin mësimor dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijëve. Klasat moderne, hapësirat sportive dhe ambientet për aktivitetet praktike e digjitale krijojnë kushte optimale për të mësuar, për t’u zhvilluar për të gjithë nxënësit dhe fëmijët.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje nga ky investim, të cilin e cilësoi bashkëkohor dhe të ndërtuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian, do t’u ofrojë mjedise cilësore, moderne dhe frymëzuese nxënësve dhe fëmijëve të shkollës së mesme të bashkuar dhe kopshtit “Rexhep Mezini”.
Ky investim u realizua me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FShZh), si pjesë e përpjekjeve për të forcuar infrastrukturën arsimore dhe për të garantuar standarde evropiane në arsimin publik.
Projekti përfaqëson një tjetër shembull të bashkëpunimit të suksesshëm, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe në krijimin e mjediseve që nxisin kreativitetin, sportin dhe teknologjinë tek fëmijët dhe të rinjtë e Durrësit.
/e.i/a.f/r.e/