Qeleshi: Reforma në drejtësi kërkon vlerësim të thelluar. Stok çështjesh dhe vakanca në Apel

Kryetarja e Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi, ka ngritur shqetësimin për situatën aktuale në sistemin gjyqësor, duke kërkuar një vlerësim të thelluar të reformës në drejtësi dhe pasojave që ajo ka sjellë në praktikë. Në studion e emisionit “Tema e Ditës” me Arbër Hitajn në RTSH, Qeleshi tha se objektivi kryesor i reformës ka qenë përmirësimi i aksesit në drejtësi për qytetarët, por aktualisht sistemi po përballet me sfida serioze.
Sipas saj, vakancat e magjistratëve dhe harta e re gjyqësore kanë sjellë një stok të madh çështjesh në gjykata, veçanërisht në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Gjykatën Administrative të Apelit.
“Një nga qëllimet e reformës në drejtësi ishte një drejtësi më e mirë për qytetarët. Një drejtësi më e shpejtë në kohë, më profesionale dhe të kesh një trajtim gjatë procesit gjyqësor që të jetë i drejtë dhe dinjitoz. Ajo që na ka ndodhur, kryesisht për shkak të vakancave të magjistratëve, ashtu edhe sikurse edhe harta e re gjyqësore, është një stok i madh në gjykata. Problematika më e madhe është në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm të Apelit dhe Gjykatën Administrative të Apelit. Juridiksioni i Përgjithshëm ka një stok prej 50 mijë çështjesh dhe gjyqtarët po shohin çështje të vitit 2018. Për qytetarin, i cili nuk merr drejtësi në kohë, do të thotë që rezultati në këtë aspekt nuk është ai dëshiruar. Nuk është përgjegjësi e gjykatësve”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Avokatëve Penalistë kërkoi organizimin e një tryeze gjithëpërfshirëse për të adresuar këto problematika dhe rishikimin e kuadrit ligjor që lidhet me karrierën e gjyqtarëve.
“Duhet të krijohen mekanizma për emërim më të shpejtë në detyrë, për të plotësuar vakancat. Po bëjmë gjykatës dhe prokurorë, jo thjesht juristë. Cilësia dhe eksperienca profesionale duhet të jenë pjesë e vlerësimit,” tha Qeleshi.
Ajo përfundoi se, ndonëse reforma ka sjellë rezultate, është momenti për një analizë të thelluar mbi situatën aktuale dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.
/rtsh.al/