Ndalimi i avokatit Barjami, Muça: Berisha s’mund të flasë. E bën pis çështjen

Gazetari Flogert Muça ka kritikuar reagimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me ndalimin e avokatit Ulian Barjami në Elbasan, duke e cilësuar si të dëmshëm për kauzën e avokatëve dhe për perceptimin publik mbi shtetin e së drejtës.
Në studion e emisionit “3D” me Alban Dudushin në RTSH, Muça tha se reagimi i Berishës mund të ndikojë negativisht në perceptimin publik dhe të zbehë mbështetjen për avokatët, të cilët po kërkojnë respektimin e rolit të tyre në sistemin e drejtësisë.
Ai shtoi se politizimi i çështjes mund të dëmtojë kauzën e avokatëve dhe të krijojë konfuzion institucional.
“Përpara SPAK çdo javë bën thirrje për mosnjohje të institucioneve, pastaj del dhe bën avokatin e avokatit doktori, kjo nuk ka më asnjë kuptim dhe kjo e dëmton avokatin. Ai është lideri i opozitës. E dëmton avokatin sepse nëse shoqëria ka një sensibilizim dhe ne gazetarët deri diku me avokatët… sepse ajo që ndodh është që nesër ai prokurori mund të na bëjë edhe ne këtë gjë. Nëse fillojmë të vëmë në dyshim fjalën, lirinë e saj, pavarësisht fjalorit, këtu bie shteti i së drejtës. Nëse duam ta prishim një kauzë, politizoje atë. Ai është në një konflikt të hapur edhe juridik edhe politik me institucionet e drejtësisë, bën avokatin e avokatit, duke e bërë pis të drejtën e avokatëve”, tha ai.
/rtsh.al/