Qëlluan me armë policët në Morinë, GJKKO dënon 7 anëtarët e grupit të trafikut të klandestinëve

TIRANË, 12 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtorë dhe dënoi shtatë anëtarët e një grupi të huajsh të trafikut të klandestinëve, nga Shqipëria drejt Kosovës, e më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Etleva Deda dhe Bib Ndreca. Ata u dënuan nga 8 deri në 35 vite burgim dhe akuzohen për “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentative”, gjatë aksionit në vitin 2023, pasi qëlluan me armë efektivët në krye të detyrës, teksa përpiqeshin të arratiseshin.
Gjithashtu ata akuzohen edhe për trafikim të armëve dhe municioneve, i kryer në bashkëpunim si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Konkretisht, GjKKO dënoi Sultan Grimash, alias Sadaak Guremache alias Junes Alma, me 35 vite burg për pjesëmarrjen në vrasjen e disa punonjësve të Policisë, kryer në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal. Po ashtu, Ayoub Bahhoo është dënuar me 35 vite burg për të njëjtat akuza. Muhammed Radën, alias Muhamed Radouë alias Radvan Radvan, gjithashtu u dënua me 35 vite burgim.
Rabi Lqadi, alias Rabi El-Kadi, u dënua me 8 vjet burgim për ndihmën në kalimin e paligjshëm të kufijve dhe për pjesëmarrje në grupin kriminal të strukturuar, ndërsa Muhammed Shehab, alias Mohamed Al Uthman Shaab alias Mohamed Outman, u dënua me 35 vjet burgim për akuzat e vrasjeve të punonjësve të Policisë.
Muhammed Nasir, alias Nouh Graie, u dënua me 12 vjet burgim për pjesëmarrjen në grupe kriminale dhe për veprime të tjera të paligjshme, si mbajtja e armëve pa leje. Nagid Alabdalah, alias Abu Gira, u dënua më 8 vite burgim.
/m.q/a.f/r.e/