E Diel, 1 Nëntor 2026

KPA pushon vetingun për gjyqtaren Vjollca Spahiu, lë në fuqi shkarkimin e inspektores së KLD-së

TIRANË, 12 shkurt /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli sot vendimin për pushimin e çështjes së vetingut për gjyqtaren e Tiranës, Vjollca Spahiu.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare, vendosën pushimin e shqyrtimit të çështjes, e cila ishte ankimuar nga Komisioneri Publik.

Gjyqtarja Vjollca Spahiu u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më 28 qershor të vitit 2024. Pas shqyrtimit të çështjes në Kolegj, prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqësoi drejtuesin e SPAK në këtë çështje, i cilësoi bindëse shumicën e pretendimeve të subjektit dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares Spahiu.

Nga ana tjetër, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, (KPA), la në fuqi sot vendimin për shkarkimin nga detyra të inspektores së ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Brunilda Çarçiu.

Vendimi u mor sot me shumicë votash nga trupi gjykues i përbërë i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtare, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të subjektit ndaj vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kulifikimit.

Gjithashtu Kolegji i Posaçëm i Apelimit, la në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Korçës, Seladin Pysqyli. Vendimi u mor një ditë më parë nga trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë.

Pysqyli ankimoi më 11 nëntor 2024 vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ta shkarkuar nga detyra.

Pysqyli rezultonte në pamundësi financiare për krijimin e pasurive, si dhe bëri përpjekje për të deformuar të vërtetën lidhur me një apartament në Tiranë, me qëllim shmangien e deklarimit të vlerës reale të kësaj banese.

Vendimet e KPA-së janë përfundimtare dhe kanë efekt të menjëhershëm.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›