E Martë, 3 Nëntor 2026

Qendra për Inovacion NEST, Ibrahimaj: Rrisim aksesin në financimin e sektorit të ndërtimit

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Inteligjenca Artificiale tashmë po ndryshon çdo sektor. Në Tiranë është ngritur Qendra për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, e pajisur me mjete bashkohore e teknologji që i vjen në ndihmë sipërmarrjeve dhe start-upe, veçanërisht atyre në sektorin e ndërtimit, për monitorimin dhe zhvillimin inovator të biznesit të tyre.

E konceptuar si një qendër inovative rajonale, NEST aktualisht kryen monitorimin me kamera 24 orë, të të gjitha projekteve të FSHZH, ndërsa është e orientuar në tre funksione kryesore: Ndërtimi, Inovacioni dhe Monitorimi. Kjo qendër e teknologjisë përmes IA mund të ndjekë korrektësinë e punës në ndërtim nga distanca jo vetëm për perimetrin, por edhe për përputhshmërinë me projektin.

NEST ndodhet në godinën e ish-Institutit për Teknologji në Ndërtim dhe aktualisht qendra ka nisur monitorimin e të gjitha projekteve që zbaton FSHZH në të gjithë vendin. Konkretisht po pilotohet monitorimi i ecurisë së punimeve në projektin e Parkimit në Durrës dhe Kantieri i Kolegjit të Europës. Qenda ofron të dhëna të sakta dhe menaxhim digjital për çdo proces të punës që zhvillohet në kantieret e ndërtimit.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e pranishme në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji NEST, një strukturë kjo e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes, theksoi se, “takimi i sotëm me ndërtuesit ka në fokus inovacionin, si një mundësi e mirë për të çuar përpara këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit”.

Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e zbatimit të teknologjive inovative në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa theksoi se, “tashmë platfomat inovative shërbejnë edhe për rritjen e financimit të sipërmarrjeve dhe veçanërit të sektorit të ndërtimit, që luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit”.

“Qeveria ka një vizion të qartë që vetëm përmes inovacionit, digjitalizimit, ekonomia shqiptare do të zhvillohet”, u shpreh Ibrahimaj, teksa tërhoqi vëmendjen se në sektorin privat teknologjitë inovative kanë nivel më të ulët përdorimi, në një kohë kur zbatimi i teknologjive të reja ul kostot dhe po rrit efikasitetin në prodhim.

“Takimi që zhvillohet sot në qendrën NEST ka për qëllim të na njohë sesi IA dhe zhvillimet teknologjike arrijnë të monitorojnë projekte në mbarë Shqipërinë dhe të reduktojë gabimet e mundshme. Ndërsa prezantimi i një start-up të ri do të na tregojë për lehtësitë që sjell përdorimi i teknologjisë në rritjen e aksesit në financim”, tha Ibrahimaj.

Sipas ministres, tashmë ka ardhur koha që financimi të mos jetë i fokusuar vetëm në kreditimin e bankave, por dhe në instrumente të reja teknologjike (promovim i biznesit në real estate apo qendra tregtare) ndihmon në zgjerimin e aksesit për financim nga investitorët apo partnerë ndërkombëtarë që kanë interes të investojnë në Shqipëri.

“Për këtë qëllim ne do të prezantojmë sot një platformë që rrit aksesin në financim me përfitim nga sipërmarrësit si në kosto, dhe lehtësi përfitimi”, tha ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›