E Enjte, 5 Nëntor 2026

Qendro për ATSH-në: 31 kroçera dhe 445 jahte vizituan Sarandën në 11 muaj

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Saranda, e cilësuar si perla e turizmit shqiptar, këtë vit shënoi një fluks të lartë turistësh të huaj që mbërritën edhe me kroçera.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës janar- deri më 15 nëntor në portin e Sarandës  kanë mbërritur 65 tragete turistike, nga të cilat 31 kroçera dhe 445 jahte”.

“Nga 31 kroçerat kanë ardhur 17 346 turistë ditorë, të cilët pasi vizituan qytetet e Sarandës dhe Gjirokastrës u larguan brenda ditës nga porti”, tha Qendro.

Drejtori i portit të Sarandës bëri të ditur se për këtë vit nuk ka më rezervime nga kroçerat, e fundit që e u ankorua në port ishte një javë më parë.

“Kroçera “Nieuw Statendam” e kompanisë “Holand America Line” vizitoi për herë të parë Sarandën më 11 nëntor. Në bordin e saj ndodheshin 2602 turistë, kryesisht nga Australia, Kanadaja, Gjermania, Japonia, Holanda, Zelanda e Re, SHBA, Anglia dhe shtete të tjera”, tha Qendro.

Gjatë këtij viti Porti Detar, Komisariati i Policisë Kufitare, Kapiteneria dhe Dogana Sarandë morën të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Këtë vit nga Saranda drejt Korfuzit u shtua numri i trageteve dhe linjave, ku operuan edhe dy kompani të reja”, tha Qendro.

Pjesë e itinerarit të turistëve kanë qenë vizitat në pikat turistike të Sarandës si Butrinti, si kalaja e Lëkurësit, plazhet e shumta në qytetin bregdetar, si dhe qytetet e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës etj.

1 nga 7

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›