Qeveria miraton Planin Kombëtar 10-vjeçar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike

Këshilli i Ministrave ka miratuar zyrtarisht “Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036”, një dokument strategjik që synon të përgatisë vendin përballë efekteve të ngrohjes globale. Vendimi i firmosur nga Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, parashikon shfuqizimin e planit të mëparshëm të vitit 2019 dhe ngarkon Ministrinë e Mjedisit, bashkë me institucionet e tjera përgjegjëse, për zbatimin e udhërrëfyesit të ri.
Plani i ri, i njohur si NAP-i i dytë (Procesi i Dytë Kombëtar i Përshtatjes), vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve në rritje nga rritja e temperaturave mesatare, thatësirat, përmbytjet dhe zjarret. Sipas dokumentit, strategjia fokusohet në mbrojtjen e komuniteteve të cenueshme dhe rritjen e aftësisë ripërtëritëse në pesë sektorë prioritarë: bujqësi, pylltari, turizëm, energji, transport dhe zhvillim urban.
Në parathënie të këtij plani theksohet se domosdoshmëria e një qasjeje të re dhe të integruar.
“Ndryshimet klimatike përbëjnë një ndër sfidat më të mëdha të kohëve moderne, duke kërcënuar ekosistemet, ekonomitë dhe mirëqenien e popujve në mbarë botën,” nënvizohet në dokument, duke theksuar se Shqipëria tashmë po përballet drejtpërdrejt me këto ngjarje ekstreme të motit.
Në dokument sqarohet se ky plan nuk është thjesht një kornizë politikash, por një mekanizëm qendror për planifikimin financiar dhe zhvillimor të vendit.
“Objektivi i NAP-it të dytë është pakësimi i ndikimeve të lidhura me ndryshimet klimatike në nivel vendi, duke ngritur kapacitetet institucionale dhe ato teknike, që bëjnë të mundur planifikimin afatgjatë dhe të integruar të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike,” theksohet në Planin Kombëtar.
Dokumenti qeveritar shoqërohet me instrumente mbështetëse thelbësore, përfshirë Strategjinë e Financimit, Planin e Veprimit për Barazinë Gjinore dhe Kuadrin e Monitorimit.
“Përshtatja nuk është një përpjekje e ndërmarrë vetëm një herë, por një proces i vazhdueshëm, që kërkon institucione të forta, financim të qëndrueshëm dhe përfshirjen e të gjithë sektorëve të shoqërisë,” theksohet në parathënie të dokumentit.
/rtsh.al/