Qeveria ndryshon rregullat për Zonat Ekonomike, lehtësohen procedurat e negociimit dhe e miratimit të kontratave

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë ndryshimesh dhe shtesash në kuadrin rregullator për përzgjedhjen e zhvilluesve në Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA). Vendimi i ri, i cili vjen me propozim të Ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, synon të përshpejtojë proceset administrative dhe të qartësojë marrëdhëniet kontraktuale për vënien në dispozicion të pasurive shtetërore.
Një nga pikat kryesore të këtij vendimi është riformatimi i procedurave të negociimit. Sipas nenit të ndryshuar, institucioni përgjegjës tashmë do të ftojë fituesin për negocimin e kontratës menjëherë pas publikimit të njoftimit. Rregullat e reja vendosin një afat të prerë: “Procedurat e negociimit përfundojnë brenda një afati jo më të gjatë se 90 ditë nga data e publikimit,” duke evituar kështu zvarritjet e tejzgjatura që mund të pengonin investimet teknologjike.
Ndryshimet e fundit sjellin një thjeshtim të procedurave në nivel lokal. Është shfuqizuar detyrimi që planet e zhvillimit të konfirmohen nga bashkitë nën juridiksionin e të cilave ndodhet zona, duke e përqendruar vendimmarrjen teknike te institucionet qendrore.
Sa i përket miratimit të kontratës finale, procesi tashmë kalon përmes një filtri të qartë ligjor. Miratimi do të bëhet nga Ministri i Ekonomisë, por vetëm pasi të jetë marrë mendimi paraprak nga Avokatura e Shtetit dhe institucionet e përfshira në zbatim.
Pasuritë shtetërore, kontratë qiraje “Tip”
Një risi e rëndësishme është shtimi i nenit 20/1, i cili përcakton qartë se si do të merren në përdorim pasuritë e paluajtshme shtetërore. Zhvilluesit do t’i vënë në dispozicion këto pasuri përmes një kontrate qiraje me format “tip”, elementet e së cilës janë të parashikuara në aneksin bashkëngjitur vendimit.
Përpara nënshkrimit të kësaj kontrate, Ministria e Ekonomisë duhet të marrë informacion të detajuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) mbi statusin aktual juridik të pasurisë; sipërfaqen ekzakte ku do të ndërtohet zona teknologjike; aktin përkatës kadastral dhe mendimin e organit që administron pasurinë.
/rtsh.al/