E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria nxjerr për konsultim publik pr.ligjin për krijimin e Këshillit Fiskal, nismë e re për financat publike, ekspertë të pavarur për analizimin e buxhetit dhe rreziqet fiskale

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për krijimin e Këshilli Fiskal, një institucion i ri i pavarur që synon të forcojë disiplinën fiskale, transparencën në menaxhimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të buxhetit të shtetit.

Sipas dokumentit të Ministrisë së Financave, projektligji është pjesë e reformave për modernizimin e kuadrit të qeverisjes fiskale dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Këshilli Fiskal parashikohet të funksionojë si një organ këshillimor i Kuvendit, me rol të pavarur në analizimin e politikave buxhetore dhe monitorimin e zbatimit të rregullave fiskale.

Në thelb të nismës qëndron krijimi i një institucioni që ndan funksionin e hartimit të politikave nga ai i vlerësimit të tyre. Këshilli Fiskal do të ketë detyrë të japë opinione profesionale mbi buxhetin vjetor, kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm, si dhe të vlerësojë rreziqet që mund të ndikojnë në stabilitetin financiar të vendit.

Projektligji parashikon që institucioni të përbëhet nga tre anëtarë me mandat 6-vjeçar dhe me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Emërimi i tyre do të bëhet nga Kuvendi, pas një procedure të hapur konkurruese dhe filtrimi nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat. Kandidatët duhet të plotësojnë kritere të larta profesionale, përfshirë eksperiencë të gjatë në ekonomi, financa publike ose kërkim shkencor.

Struktura mbështetëse e Këshillit Fiskal do të jetë Sekretariati Teknik me pesë ekspertë, të cilët do të rekrutohen gjithashtu përmes konkurseve publike bazuar në meritë dhe kualifikime profesionale. Kjo strukturë synon të sigurojë kapacitet analitik të pavarur dhe të qëndrueshëm.

Një nga elementet kryesore të projektligjit është forcimi i transparencës institucionale. Këshilli Fiskal do të publikojë rregullisht analizat dhe opinionet e tij, si dhe do t’i paraqesë Kuvendit një raport vjetor të detajuar mbi performancën fiskale të vendit, saktësinë e parashikimeve ekonomike dhe zbatimin e rregullave buxhetore.

Po ashtu, institucionit i garantohet akses i plotë në të dhënat publike dhe detyrimi i institucioneve shtetërore për të bashkëpunuar me të, duke i vënë në dispozicion informacionin e nevojshëm për analizat e tij. Në rast mosbashkëpunimi nga institucionet publike, Këshilli Fiskal mund ta bëjë këtë publike.

Nga ana financiare, krijimi dhe funksionimi i institucionit vlerësohet të kushtojë rreth 39 milionë lekë në vit, ku përfshihen pagat e anëtarëve, stafit teknik, si dhe shpenzimet administrative dhe operative. Financimi do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe do të planifikohet në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm.

Sipas projektligjit, Këshilli Fiskal do të gëzojë autonomi të plotë institucionale dhe financiare, ndërsa veprimtaria e tij do t’i nënshtrohet auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet dhe opinionet e tij do të publikohen në mënyrë të rregullt, me qëllim rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së politikës fiskale në vend.

Relacioni shpjegues i pr.ligjit për Këshillin Fiskal Download

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›