E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria propozon reformë të thellë në taksimin e pronës, Drejtori e Përgjithshme për taksën e pasurisë dhe Kadastër Fiskale, forcohet roli i bashkive në administrim

Projektligji për taksën mbi pasurinë e paluajtshme është hedhur për konsultim publik këtë të enjte nga qeveria. Ky projektligj ka për synim kryesor reformimin e thellë të sistemit të taksimit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, duke kaluar drejt një modeli të bazuar në vlerën e tregut, me objektiv rritjen e të ardhurave vendore, përmirësimin e drejtësisë fiskale dhe forcimin e autonomisë financiare të bashkive.

Sipas relacionit shoqërues, taksa mbi pasurinë e paluajtshme konsiderohet një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave për pushtetin vendor në shumë vende të botës, sidomos në ekonomitë e zhvilluara, ku arrin nivele disa herë më të larta se në Shqipëri. Aktualisht, në vend, të ardhurat nga kjo taksë janë rreth 0.28% e PBB-së, ndërsa në vendet e OECD-së dhe në ekonomi të zhvilluara mund të shkojnë deri në 2% apo edhe më shumë. Sipas qeverisë, kjo diferencë tregon se ekziston një hapësirë e madhe për rritjen e të ardhurave dhe modernizimin e sistemit aktual.

Projektligji synon krijimin e një sistemi të ri taksimi të bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, duke synuar që barra tatimore të jetë më e drejtë dhe më e lidhur me aftësinë paguese të qytetarëve. Në këtë mënyrë, një pronë në qendër të qytetit me vlerë të lartë tregu nuk do të tatohet njësoj si një pronë e ngjashme në periferi, duke adresuar një nga problemet kryesore të sistemit aktual.

Reforma mbështetet edhe në rekomandime të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, të cilat theksojnë se taksimi i bazuar në vlerë sjell jo vetëm rritje të të ardhurave, por edhe më shumë barazi fiskale, transparencë dhe efikasitet ekonomik. Sipas këtyre analizave, një sistem më i drejtë i taksimit të pasurive nxit gjithashtu përdorimin më produktiv të tokës dhe ndërtesave, duke reduktuar spekulimin në tregun e pasurive të paluajtshme.

Ndër risitë kryesore të projektligjit është kalimi nga sistemi aktual i bazuar kryesisht në sipërfaqe për tokën dhe në vlera të përcaktuara jo plotësisht sipas tregut, drejt një sistemi të unifikuar të bazuar në vlerën e përafërt të tregut për të gjitha llojet e pasurive. Po ashtu, parashikohet zgjerimi i bazës tatimore duke përfshirë edhe kategori që aktualisht taksohen pak ose nuk taksohen, si toka pyjore, kullotat dhe disa lloje tokash të tjera.

Në aspektin institucional, parashikohet krijimi i një strukture qendrore, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, si dhe ngritja e një Kadastre Fiskale, e cila do të shërbejë si bazë e unifikuar e të dhënave për të gjitha pasuritë e paluajtshme. Kjo synon të reduktojë fragmentimin aktual të administrimit të taksës në nivel bashkish dhe të rrisë efikasitetin e mbledhjes së saj.

Projektligji parashikon gjithashtu një skemë lehtësish për qytetarët. Një nga elementet më të rëndësishme është zbritja për banesën e parë, e cila varion sipas kategorive të bashkive dhe synon të lehtësojë barrën për familjet me të ardhura më të ulëta. Në të njëjtën kohë, parashikohen përjashtime për kategori të caktuara, si banesat sociale, objektet fetare, institucionet shtetërore, si dhe disa struktura turistike me status të veçantë, duke ruajtur një balancë midis politikës fiskale dhe objektivave sociale e ekonomike.

Në aspektin e zbatimit, reforma është parashikuar të jetë graduale. Kalimi në sistemin e ri të bazuar në vlerën e tregut do të bëhet fillimisht për ndërtesat në vitin 2029 dhe më pas për tokën në vitin 2031. Për periudhën tranzitore do të vazhdojë të aplikohet sistemi ekzistues, me qëllim shmangien e një rritjeje të menjëhershme të barrës tatimore dhe për të lehtësuar përshtatjen e qytetarëve dhe institucioneve.

Gjithashtu, projektligji forcon mekanizmat e mbledhjes së detyrimeve tatimore, duke përfshirë kamatëvonesa, gjoba dhe masa administrative që mund të kufizojnë aksesin në disa shërbime publike për debitorët. Në të njëjtën kohë, parashikohen edhe procedura më të qarta ankimi, njoftimi dhe transparence për taksapaguesit.

Sipas qeverisë, miratimi i këtij projektligji do të sjellë një rritje të ndjeshme të të ardhurave vendore në afatmesëm dhe afatgjatë, duke synuar që ato të afrohen gradualisht në nivelet 0.7% deri në 1% të PBB-së. Këto të ardhura shtesë pritet të përdoren nga bashkitë për investime publike dhe përmirësim të shërbimeve lokale, duke kontribuar në forcimin e decentralizimit fiskal dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel vendor.

Relacion për projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”Download

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›