Qeveria shpall rritjen e pagave, përfitojnë 135 mijë punonjës të administratës, mes tyre policë, mjekë e ushtarakë

Qeveria zyrtarizoi rritjen e pagave për administratën publike, që hyn në fuqi muajin korrik. Përfitues janë 135 mijë punonjës. Pagat do të rriten për të gjitha profesionet, duke bërë që paga mesatare në administratë të kalojë mbi 100 mijë lekë në muaj bruto.
“Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik arrin në 105 mijë lekë në muaj. Pagat e rritura nisin zbatimin në 6-mujorin e dytë, pra në korrik me kosto prej 11 miliard lekësh për këtë 6-mujor”, tha Ervin Mete ministër i Financave.
Përfitues janë mbi 20 mijë mjekë dhe infermierë si dhe punonjës të administratës shëndetësore. Por sa është rritja për këtë kategori?
“Me këtë rritje që miratuam sot paga e një mjeku të përgjithshëm rritem me 20 mijë lekë plus, ndërsa e një infermieri me 15 mijë mbi pagën ekzistuese”, tha Albana Koçiu ministre e Shëndetësisë.
Paralelisht edhe arsimtarët do të përfitojnë rritje page.
“Nga 1 korriku rriten pagat për 30 mijë punonjës të sistemit arsimorë. Paga rritet me 18 mijë lekë mbi pagën mesatare. E thënë ndryshe me këtë rritje paga mesatare në arsim arrin në 900 euro”, sqaroi Manastirliu.
Rritje sinjifikative e pagave e konsideroi edhe Niko Peleshi për forcat e armatosura dhe punonjësit zjarrfikës, rritje e cila kap shifrën e 30%. Në përpjekje për të tërhequr punonjës në administratë, Peleshi tha se çdo i ri e nis me pagë dinjItoze në forcat e armatosura.
“Nga kjo rritje mund të them se çdo i ri që hyn në sektorin e forcave të armatosura paga do të nis nga 800 mije lekë”, tha Niko Peleshi.
Përfitues do të jenë edhe punonjësit e administratës shtetërore, por vetëm ata të nivelit zbatues dhe mbështetës.
Me përfundimin e kësaj reforme, pagat në administratë do të indeksohen çdo dy vite, duke nisur nga 2026. Ndërkohë parashikohet indeksimi për 700 mijë pensionistë, vendim i cili pritet të merret pas verës./vizionplus.tv