E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria shtyn afati e kartave, Hoxha: Ata që u skadojnë ID në 11 maj nuk privohen nga votimi

Të gjithë qytetarët, të cilëve u skadon karta e identitetit më 11 maj, pikërisht në ditën kur zhvillohen zgjedhjet parlamentare, nuk do të privohen nga e drejta e votimit.
Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e kësaj të mërkure shtyrjen e afatit për ID-të që skadojnë më 11 maj, duke vendosur një afat vlefshmërie deri më 31 maj.

“Nga një analizë e të dhënave, rezulton se janë një numër i konsiderueshëm shtetasish me të drejtë vote, të cilëve u ka kaluar apo u skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportave biometrike deri më 11 maj. Këto janë dokumente të domosdoshme për të marrë pjesë në procesin e votimit.

Miratimi i akteve normative merret me qëllim garantimin e të drejtës kushtetuese të të gjithë shtetasve për të votuar pa pengesa në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025, shtyhet deri në datën 31 maj 2025″,,tha Ministri Hoxha.

Ministri i Brendshëm garantoi se policia, e cila ka kaluar në gatishmëri, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe të numërimit të votave.

Janë marrë, ndërkohë, të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor nga pikëpamja e sigurisë. Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar për të përballuar me sukses procesin para, gjatë dhe pas mbylljes së votimit, duke zbatuar me korrektësi ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor.

Në fund, Hoxha tha se kompeticioni “Giro d’Italia”, që do të zhvillohet në datat 8, 9 dhe 10 maj, nuk do të privojë asnjë qytetar nga e drejta për të votuar.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›